Maqedoni

Covid-19 në shkolla, 22 fëmijë të tjerë në izolim

08.10.2020 14:11

22 fëmijë të dy klasave të para të shkollës “Goce Dellçev” në komunën Qendër janë izoluar pas dyshimeve me virusin COVID-19...

22 fëmijë të dy klasave të para të shkollës “Goce Dellçev” në komunën Qendër janë izoluar pas dyshimeve me virusin COVID-19, duke e çuar numrin e fëmijëve të izoluar në 53 në mbarë vendin nga fillimi i vitit shkollor. Krahas nxënësve të izoluar, edhe 8 mësimdhënës janë në karantinë. Njëra nga nënat e fëmijëve të izoluar, mësimdhënëse në këtë shkollë, edhe pse disa ditë me simptoma të virusit Korona nuk ka shkuar në punë, ajo megjithatë ka dërguar fëmijën e saj në shkollë, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve të tjerë. Veprimi i tillë është dënuar nga kryetari i komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, i cili ka kërkuar sanksionimin e saj.
 
“Dënoj sjelljen e papërgjegjshme të mësueses dhe kërkoj nga drejtorja që të hetojë rastin dhe të sanksionojë mësuesen. Një sjellje e tillë e një mësimdhënësi nuk duhet toleruar.”,- ka shkruar Bogdanoviq në profilin e tij në Facebook. 
 
Në shkollën “Goce Dellçev”, edhe një mësimdhënës si dhe një nxënës kanë rezultuar pozitiv me virusin Korona. Prej mbrëmë në izolim janë 10 nxënës të klasës së dytë nga Shkolla Fillore “ Koço Raçin” në fshatin Podaresh, komuna e Radovishit, pasi që shoku i tyre i klasës ka rezultuar pozitiv. Deri më tani në këtë shkollë nuk ka asnjë mësimdhënës që është i sëmurë ose në izolim.
 
MASh: Mësimdhënësit të jenë më të përgjegjshëm
 
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se po intervenojnë në kohë në shkollat ku konstatohet përhapja e virusit.
 
“Të gjithë arsimtarët dhe nxënësit që janë në izolim kalojnë në mësim nga distanca, me çka sigurohet vazhdimësi e mësimit. Paralelisht me mësimin online, në servisin publik transmetohen orë prej 15 minutave.”,- thonë nga Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit njëherësh fton mësimdhënësit në respektimin e masave mbrojtëse dhe protokolleve, pasi ata mbartin përgjegjësi për shëndetin e tyre dhe të nxënësve.
 
MERAL ISMAILI