Maqedoni

Njohja e certifikatave fitosanitare, afaristët mirëpresin marrëveshjen RMV-Shqipëri

08.10.2020 14:17

Sektori i biznesit përshëndet vendimin për njohjen e certifikatave fitosanitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë....

Sektori i biznesit përshëndet vendimin për njohjen e certifikatave fitosanitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo, sipas OEMVP-së, do të ndikojë në rritjen e shkëmbimit tregtar, i cili është në nivel shumë të ulët, krahas potencialit të madh që kanë dy vendet. 
 
“Këmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në nivel shumë të ulët. Ajo është gati se pesë herë më i ulët në krahasim me  këmbimin tregtar që kemi me Bullgarinë apo dhjetë herë me Serbinë dhe Greqinë, dhe definitivisht ky potencial duhet të shfrytëzohet edhe nga Maqedonia, por edhe nga Shqipëria, prandaj e vlerësojmë si veprim pozitiv.”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
 
Njëherit nga OEMVP apelojnë për vazhdimin e lehtësimit të barrierave administrative dhe rregullimin e infrastrukturës në korridorin e 8 që do të ndikonte në rritjen e shkëmbimit tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. 
 
“Ta marrim këtë hap si një stimul që edhe institucionet tjera të ndërmarrin hapa të tilla si në eliminimin e tarifave doganore dhe barrierave jodoganore, por edhe në stimulimin e shfrytëzimit të korridorit 8 që lidh Maqedoninë me Shqipërinë.”,- theksoi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
 
Marrëveshja për njohje të certifikatave u nënshkrua të martën nga ana e ministrit të bujqësisë së RMV-së, Arjanit Hoxha, dhe atij të Shqipërisë, Bledi Çuçi. Me njohjen e këtyre certifikatave, tashmë çdo produkt bujqësor që shkon në shtetin fqinj nuk do të ketë nevojë në kufi të bëhen analiza shtesë. Autoritetet thonë se njohja e certifikatave dukshëm do të reduktojë kohën e pritjes në kufi të kamionëve, të cilët në disa raste është dashur të presin edhe me ditë të tëra për të tejkaluar barrierat administrative. 
 
ERSAN PAJAZITI