Maqedoni

Kovid-19, 364 të infektuar e tre të vdekur, Filipçe: Do të sillen masa të reja preventive

08.10.2020 16:08

Sërish shifra rekorde sa i përket numrit të personave të infektuar nga virusi Korona në vend....

Sërish shifra rekorde sa i përket numrit të personave të infektuar nga virusi Korona në vend. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 364 të infektuar, tri viktima dhe 106 të shëruar në 24 orët e fundit. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se vendi është kapluar nga faza e tretë e virusit, megjithëse gjendja vazhdon të vlerësohet si stabile. Ai njëherit bëri të ditur se së bashku me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse do të propozojë masa të reja për parandalimin e virusit. 
 
“Sipas analizës, ne vendosëm të rekomandojmë masa të reja për të parandaluar përhapjen e virusit: Ndalohen festat familjare në shtëpi, ndalesë për grumbullim të njerëzve në shtëpi, ndërsa në shtëpi mund të jenë vetëm anëtarët e familjes po në atë adresë, ndërsa mund të pranojnë edhe 4 persona për ndonjë festë. Ndalohet grumbullimi i personave në hapësira të hapura pas orës 22 më shumë. Ndalohet grumbullimi më shumë se 4 persona nëpër parqe ose pompa të benzinit. Maskat e domosdoshme në hapësira të mbyllura në transportin publik në vende të punës. Ndërsa maska duhet të mbajnë edhe fëmijët e moshës 6 vjeç. Këto janë rekomandimet e propozuara nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse deri tek Qeveria.”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Filipçe nuk e përjashtoi edhe mundësinë e kufizimit të lëvizjes nëse gjendja me virusin vazhdon të përkeqësohet.
 
“Edhe kufizimi i orëve të punës në objekte hotelierike edhe kufizimi i lëvizjes vjen në shprehje nëse vendoset se një masë e tillë duhet të implementohet, qoftë në ndonjë komunë apo qytet apo edhe në tërë vendin. Tani për tani jemi larg kësaj, por është një nga masat që mund të vendoset.”,- theksoi Filipçe.
 
Ministri Filipçe tha se 1 muaj pas hapjes së çerdheve numri i të infektuarve nuk është shumë i madh nëpër çerdhe dhe kjo do të thotë se respektohen protokollet. Ndërsa për shkollat është ende herët të flitet sepse sapo ka filluar viti shkollor. 
 
REJHANE BUSHI METAJ