Maqedoni

LSDM: Raporti, konfirmim i politikave të suksesshme

08.10.2020 16:15

LSDM-ë dhe VMRO-DPMNE me vlerësime të ndryshme rreth Raportit të progresit të KE-së...

LSDM-ë dhe VMRO-DPMNE me vlerësime të ndryshme rreth Raportit të progresit të KE-së për RMV-në. Sipas LSDM-së, Raporti i Progresit është një konfirmim i politikave të suksesshme të Qeverisë të udhëhequr nga LSDM dhe kryeministri, Zoran Zaev, por nga VMRO-DPMNE thonë se vlerësimi i përgjithshëm i KE-së është se reformat po përparojnë mesatarisht. Sipas tyre, kritikat më të mëdha vazhdojnë të jenë në lidhje me luftën kundër korrupsionit, kontrollin policor, gjendjen e administratës publike dhe luftën kundër diskriminimit.
 
“Raporti shprehet qartë se Ligji i ri për Prokurorinë Publike, i miratuar në shkurt 2020, ofron bazë për një sistem prokurorial profesional dhe të paanshëm, i cili është më rezistent ndaj presioneve politike dhe presioneve të tjera, por kjo do të varet nga zbatimi i duhur i tij. Maqedonia e Veriut ka krijuar mekanizma për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe të përgjegjshëm dhe se përdorimi i tyre vendimtar dhe i qëndrueshëm duhet të sigurohet para se të parashikohen ndryshime të mëtejshme në këtë fushë.”,- tha Mile Talevski nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE: Reformat po përparojnë mesatarisht
 
“Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Republika e Maqedonisë ka një nivel të caktuar të gatishmërisë, e përgatitur mesatarisht. Ata theksojnë se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha, një qasje më aktive është e nevojshme nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Ata vërejnë se ende nevojiten përpjekje për të siguruar zbatimin sistematik të Planit të Veprimit të reformës në drejtësi. Të dhënat tregojnë se për momentin gjithsej 130 ligje janë dorëzuar në Kuvend dhe përsëri disa prej tyre janë me procedurë të shkurtë.”,- u shpreh Maria Miteva nga VMRO-DPMNE.
 
Raporti është një nxitje shtesë për shumicën parlamentare, qeverinë, dhe të gjitha institucionet, për të punuar edhe më shumë në reformat që sigurojnë një gjyqësor të fortë, efikas dhe të pavarur thonë në LSDM. 
 
Ndërkohë, sipas VMRO-DPMNE-së, prioriteti i KE-së në vitin e ardhshëm do të jetë aftësia për të ndërtuar kapacitete administrative dhe për të zbatuar në mënyrë efektive ligjet në praktikë.


NAIM RAMADANI