Kulturë

Ministria e Kulturës, konkurse për projekte me interes nacional

08.10.2020 17:46

Ministria e Kulturës shpalli konkurset vjetor për projektet me interes nacional në kulturë...

Ministria e Kulturës shpalli konkurset vjetor për projektet me interes nacional në kulturë, me ç’rast u potencua se do të përkrahen projekte që kanë për qëllim zhvillimin afirmimin dhe promovimin e kulturës në vend.
 
Sipas ministres së Kulturës, Irena Stefkova, aplikuesit duhet t’i kushtojnë rëndësi përfaqësimit të barabartë gjinor dhe dialogut interkulturor.
 
Këto ndryshime në konkurse janë inkorporuara, duke marrë parasysh vërejtjet e Komisionit Shtetëror të Revizionit për caktimin e kritereve të qarta për përcaktimin e shumës së mjeteve të ndara për projektet që do t’i përkrah kjo ministri.
 
“Risi në konkursin e sivjetmë është konkretizimi dhe precizimi i prioriteteve në veprimtaritë dhe sferat adekuate. Prioritet për këtë vit do të jetë përkrahja e projekteve për të rinjtë si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Prioritet i dytë me radhë do të jetë mbrojtja e trashëgimisë kulturore si dhe përkrahja e institucioneve lokale për avancimin e kapaciteteve, standardeve dhe qasjes në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në nivel lokal.”,- deklaroi ministrja e Kulturës, Irena Stefoska.
 
Sipas Stevkovskës, do të përkrahen projekte të mirëfillta kulturore pa prapavijë partiake apo ideologjike duke u bazuar në rekomandimet e nënkomitetit të politikës sociale ku thuhet se Ministria e Kulturës duhet të punojë në përforcimin e kapaciteteve të saj, me qëllim të eliminimit të rrezikut potencial për korrupsion në kulturë. 
 
FLUTURA LATIFI