Todorov, prezanton ndryshime në ligjin për mbrojtje shëndetësore

05.11.2014 18:21

Ndryshimet dhe plotësimet më të reja të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore kanë përfshirë edhe disa segmente të rëndësishme në sistemin shëndetësor.........

Bëhet fjalë për ndryshime me të cilat dukshëm do të ngrihet cilësia e sistemit të specializimeve, ku do të zbatohet sistemi për planifikim strategjik, menaxhment  dhe vlerësim i balancuar i të arriturave.

Ministri i Shëndetësisë, Nikoll Todorov, tha se sa i përket specializimeve me këto ndryshime, në mënyrë afatgjate do të mundësohet përparimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend.

“Sistemi i ri i specializimeve është bazuar në përvojat e shumë vendeve të huaja, si SHBA-të, Gjermanisë, Francës etj. Gjatë specializimit dhe subspecializimit shfrytëzohet literaturë nga 100 institucione të larta arsimore, sipas listës së Shangait. Qëllimi është që specializantët në Maqedoni të mësojnë dhe të kenë qasje në literaturat të cilat shfrytëzohen në universitetet “Kembrixh”, “Oksford” dhe universitete tjera me renome dhe ta arrijnë atë nivel të njohurive”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Sipas tij, parashihet incizimi i pjesës teorike të provimit, ndërsa pjesa praktike zbatohet në ambulancë, dhoma spitalore ose hapësira për kryerjen e intervenimeve dhe i njëjti nuk incizohet.

Ministri Todorov tha se qëllimi i gjithë këtyre ndryshimeve është që të mos mund të ketë çfarëdo qoftë intervenimi dhe të gjithë të kenë pozitë të barabartë në sistem. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)