Maqedoni

Osmani në Sofje, takime me Borisovin dhe Zaharievën

09.10.2020 12:47

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot do të qëndrojë në vizitë pune në Republikën e Bullgarisë...

Atje do të realizojë takim me kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov, dhe homologen e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva.

Vizita e parë bilaterale e ministrit Osmani në Bullgari është në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe intensifikimit të dialogut politik.

Si bashkë-kryesues i Procesit të Berlinit, ministri Osmani me homologen e tij, ministren Zaharieva, do të shqyrtojnë angazhimet aktuale dhe të ardhshme në pritje të takimeve dhe të Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 10 nëntor në Sofje, theksohet në kumtesën e MPJ-së dhe shtohet se temë e bisedimeve do të jenë edhe situatat aktuale në rajon, bashkëpunimi rajonal dhe tema të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Vizita e Osmanit në Sofje është një parathënie e takimit midis kryeministrit, Zoran Zaev, dhe homologut të tij bullgar, Bojko Borisov, i cili është planifikuar të zhvillohet përpara 10 nëntorit, gjegjësisht para procesit të Berlinit.