Covid-19, 3 viktima në Kosovë, 2 në Shqipëri, shifra rekorde në të gjithë Botën

09.10.2020 19:28

Kosova ka shënuar papritur një rëndim të bilancit me COVID-19...

Kosova ka shënuar papritur një rëndim të bilancit me COVID-19, duke shënuar 3 humbje jete, teksa një ditë më parë  nuk kishte asnjë viktime. Rastet e reja janë dyfishuar së fundmi, pasi 79 raste të reja u regjistruan në këto 24 orë. Janë shëruar edhe  61 pacientë, kurse numri i rasteve aktive është 1.159.

Dy viktima dhe 167 raste të reja me Covid 19, është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri. Numri i të shëruarve është vetëm 89. Aktualisht numri i rasteve aktive atje është 5349. Rëndohet bilanci edhe në vendet tjera të rajonit me virusin korona, me rreth 10% nivelin e rritjes së pandemisë në baza ditore.

Edhe vendet e Evropës tani më janë zhytur në valën e re të pandemisë. Qendra për kontrollin e sëmundjeve në Gjermani, raportoi 4.516 raste të reja me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Shumë qytete kanë arritur nivelin kritik të 50 rasteve të reja për 100 mijë banorë. Edhe Qeveria spanjolle shpall gjendje të jashtëzakonshme në Madrid.

Në Republikën çeke, numri i infeksioneve të reja me COVID-19 ishte më i larti për të tretën ditë radhazi. Me 5.394 raste të reja. Rekord i ri rastesh ditore të koronavirusit janë regjistruar edhe në nivel global: në 24 orët e fundit, sipas OBSH janë regjistruar të paktën 338,779 raste, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë. Sipas OBSH-së, Evropa regjistron tani më shumë se 6.5 milionë raste të koronavirusit, rastet po rriten thuajse në të gjitha vendet e kontinentit, njoftojnë nga OBSH. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)