Botë
COVID 19, Shqipëria rikthen masat e detyrueshme
10.10.2020 18:16
Rëndohet gjendja me pandeminë në rajon dhe botë....

Shqipëria nga dita e hënë do të rikthejë masat e detyrueshme për mbrojtjen nga COVID-19. Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se vendosja e maskës do të jetë me detyrim në çdo ambient, të brendshëm apo të jashtëm dhe masa ndëshkimore në formë gjobe do t’i vijë çdo qytetari bashkë me faturën e energjisë elektrike.
Në kosovë humbin jetën 4 të infektuar
Ndërkaq, në Kosovë, në 24 orët e fundit janë regjistruar 80 raste të reja me COVID-19 ndërkaq katër persona të infektuar me koronavirus kanë vdekur. Sipas institucioneve të Kosovës, numri i përgjithshëm i viktimave me koronavirus ka arritur në 645.
COVID 19, shifra të larta në të gjithë botën
Në Evropë, Republika Çeke dhe Gjermania janë në mesin e disa shteteve evropiane që po regjistrojnë numër alarmant të rasteve të reja, duke detyruar këto shtete të vendosin masa kufizuese për të frenuar përhapjen e pandemisë. Republika Çeke ka regjistruar 8,618 raste të reja. Kjo është dita e katërt me radhë që ky vend shënon numër rekord të infektimeve. Në anën tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar se shteti i saj mund të humb kontrollin mbi pandeminë, pasi janë rritë rastet e reja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar mbi 56,000 raste të reja ndërsa Rusia, në 24 orët e fundit regjistroi 12,126 raste të reja me Covid-19.
Deri më tani, pandemia ka marrë jetën e më shumë se 1 milion personave ndërkaq janë infektuar rreth 37 milionë njerëz, në mbarë botën.
SHPËTIM NUREDINI
