Qendra për Kulturë në Kërçovë shënoi 40 vjetorin e themelimit

11.10.2020 15:30

Me masa strikte të sigurisë shëndetsore....

Me masa strikte të sigurisë shëndetsore, Qendra për Kulturë në Kërçovë mbrëmë organizoi manifestimin kushtuar 40 vjetorit të veprimtarisë së këtij institucioni. Në kuadër të këtij shënimi jubilar u prezentua një program i pasur artistik, i cili u mirëprit nga të pranishmit në sallë.

Gjatë katër dekadave të funksionimit, Qendra për Kulturë në Kërçovë ka qenë vatër e zhvillimeve kulturore dhe aktiviteteve artistike, një institucion që u ka dhënë hapësirën e duhur dashamirëve të artit dhe veprimtarëve të tjerë artistik, tha drejtori Mazllam Osmani, i cili me këtë rast u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë lënë gjurmë në veprimtarinë 40 vjeçare të këtij institucioni të rëndësishëm për kultivimin e kulturës dhe ruajtjen e pasurisë shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore.

Për nder të këtij shënimi para të pranishmive u prezentua një program i pasur artistik i gërshetuar me muzikë burimore dhe universale, me interpretimet e bukura të solistëve Uran Dervishi, Jetmir Mehmedi, Martina Avramoska, Ismet Veseli, Pëllumb Qerimi dhe Salije Bajrami, valle instrumentale me kavalla nga  Ardi Osmani dhe Mexhait Ramadani, si dhe pikat muzikore të orkestrës së të rinjëve, të dirigjuara nga Agona Çupi dhe Angell Spiroski. (Shaban Dalipi, TVM2)