Armenia dhe Azerbajxhani akuza të ndërsjella për prishje të armëpushimit
Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëri-tjetrin....

Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëri-tjetrin se kanë shkelur armëpushimin e arritur një ditë më pare me ndërmjetësim të Rusisë.
Azerbajxhani e akuzoi Armeninë se ka bombarduar një qark të banuar nga civilët në Ganja. Zyrtarët thanë se tetë civilë janë vrarë dhe 33 janë lënduar në këtë incident. Baku po ashtu ka akuzuar Armeninë se ka tentuar që të kryejë sulme me raketa dhe dronë në një stacion elektrik në Mingchevi, por pa sukses.
Por, Ministria armene e Mbrojtjes ka mohuar akuzat dhe e ka fajsuar Azerbajxhanin se ka bombarduar në pjesë të ndryshme të rajonit të Malësisë së Karabakut, përfshirë edhe në qytetin më të madh në këtë rajon, Stepanakert.
Arayik Haratyunyan, lideri i forcave etnike armene në Nagorno Karabak tha se marrëveshja e armëpushimit – e ndërmjetësuar nga Rusia – ende është në fuqi, por situata vazhdon të jetë e tensionuar.
Ai shtoi se shkëmbimi i të burgosurve – që është pjesë e kësaj marrëveshjeje – pritej që të niste të dielen, por pas mosrespektimit të armëpushimit ka dyshime nëse ky proces mund të nis.
Pjesë e marrëveshjes, përveç ndaljes së armiqësive, është shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i trupave të vrarë, ndërsa thuhet po ashtu se palët do t’i kthehen tavolinës së bisedimeve dhe negociatat do të ndërmjetësohen nga Grupi i Minskut, që përbëhet nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.
