Kriza shëndetësore, vehet në funksion spitali modular
Mbushen kapacitetet e klinikës infektive në Shkup....

Mbushen kapacitetet e klinikës infektive në Shkup nga të sëmurët me COVID-19 dhe vehet në funksion spitali pranë klinikës. Hospitalizimi i pacientëve këtu do të jetë në proporcion me pacientët që do të kurohen.
Stafi shëndetësor do të merret nga klinikat tjera, thotë ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.
“Me numër të mjaftueshëm të kuadrit të institucioneve të tjera ka nisur funksionimin. Kuadri janë nga klinika e pulmologjisë, mjekë specialist pulmolog dhe infermiere dhe të tjerët janë nga spitali ‘8 Shtatori’ me qëllim që atje të mos stërmbushen kapacitetet dhe praktikisht ata mjekë dhe infermiere do të punojnë në spitalin modular.” – tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Edhe në spitalin ‘8 Shtatori’ janë mbushur kapacitetet. Në 24 orët e fundit është dyfishuar numri i kontrolleve dhe janë pranuar 5 pacientë në gjendje kritike.
Ministri Filipçe siguron se sistemi shëndetësor është i përgatitur të përballet me krizën globale, ndërkaq beson se edhe pakoja e re e masave mborjtëse që pritet të miratohen të martën në seancë qeveritare do të japin efektin e duhur në uljen e numrit të të prekurve nga COVID-19.
Ndërkohë edhe një deputetë ka rezultuar pozitiv nga virusi korona. Përpos Ismail Jahovskit nga BDI, është infektuar edhe deputeti Llaze Tanevski nga LSDM.
Nga anketa epidemiologjike mësohet se asnjë deputet s’do izolohet pas kontaktit me këta dy deputetë, pasiqë kanë respektuar masat mbrojtëse.
Ministri Filipçe megjithatë rekomandon që kuvendi të vazhdojë punën nga distanca. Socialdemokratët këtë do ta kërkojnë të martën nga kryeparlamentari Xhaferi. Kundër funksionimit online është prononcuar VMRO-DPMNE, duke e cilësuar si antikushtetues. (Meral Ismaili, TVM2)
