BE-ja diskuton për dialogun Kosovë-Serbi, helmimin e Navalnyt dhe Bjellorusinë

12.10.2020 11:15

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian....

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mblidhen sot për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situatën në Bjellorusi.

I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rrjedhën e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.

 Në lidhje me helmimin e Navalnyt, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok.

Është e paqartë nëse ministrat e jashtëm të BE-së do të bien dakord mbi sanksionet në këtë takim apo do ta shtyjnë vendimin për një datë të mëvonshme.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë gjithashtu përgjigjen e bllokut ndaj zhvillimeve në Bjellorusi, duke përfshirë sanksionet e mundshme ndaj Alyaksandr Lukashenkas dhe individëve të tjerë.

Më parë në tetor, BE-ja sanksionoi 40 zyrtarë të Bjellorusisë për rolin e tyre në një shtypje brutale të protestuesve dhe opozitës si dhe mashtrimeve gjatë zgjedhjeve të 9 gushtit.