Kodi i ri Zgjedhor, Rama - Metës: Firmose ose ktheje sa më shpejt!

12.10.2020 13:00

Kanë vijuar edhe këtë fillimjavë përplasjet në distancë....

Kanë vijuar edhe këtë fillimjavë përplasjet në distancë mes kryeministrit të Shqipërisë,  Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Kreu i qeverisë, paralajmëroi presidentin të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në të kundërt,  Kuvendi do t’i votojë sërish, edhe nëse kreu i shtetit vendos t’i rikthejë në parlament.

“Nëse presidenti Ilir Meta dërgon  në Kuvend kthim të Kodit Zgjedhor, do të rrëzohet. Nuk ia kam idenë për plan me 5 pika të Lulzim Bashës. 5 qershori është respektuar. 30 qershori është respektuar dhe nuk ka asgjë më për të thënë dhe s’ka kohë për të humbur. Presidenti bën mirë ta firmosë ose ta ktheje sa më parë. Pasi nuk ma më kohë për implementimin”, - tha Rama.

I ashpër ka qenë edhe reagimi i presidentit, i cili paralajmëron se nëse kryeministri nuk reflekton duke respektuar marrëveshjen e 5 qershorit, atëherë më 25 prill, dita kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, do të ketë përballë jo vetëm një President “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë që do t’i shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh.

Marrëdhëniet mes dy zyrtarëve të lartë janë përshkallëzuar së tepërmi, pas akuzave të kryeministrit Rama se presidenti ishte takuar skutave me një subjekt të Operacionit Forca e Ligjit. Meta e sfidoi Ramën që të jepte detaje, por deri më tani, nga ana e shefit të qeverisë ka vetëm heshtje.