Haliti: Nuk është vendosur asgjë për deputetët e opozitës

06.11.2014 16:26

Edhe pse LSDM-ja sërish para pak ditësh ka ritheksuar vendosmërinë për të mos u kthyer në punimet e kuvendit, legjislativi ende nuk ka vendosur asgjë konkrete se çka do të bëjë më dhjetë nëntor me deputetët e LSDM-së, kur mbushen gjashtë muaj që ata kanë fituar mandatet dhe vazhdojnë të qëndrojnë jashtë kuvendit.........

Rregullorja e kuvendit parasheh dy mundësi, e para është që deputetëve t’u merret mandati për shkak të mungesës për gjashtë muaj në punimet e kuvendit dhe mundësia e dytë është që në seancë plenare të konstatohet dorëheqja e të gjithë deputetëve të opozitës të cilët e kërkojnë atë.

Nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti, deklaroi se kuvendi ende nuk ka caktuar seancë për të marrë vendim për deputetët e LSDM-së, por mendon se do të ishte në dobi të kuvendit edhe të deputetëve që të kthehen në punimet kuvendore.

“Nuk është caktuar seanca, është një vlerësim politik që duhet ta bëjë kryesia e kuvendit bashkë me kryetarin e kuvendit. Është e drejta e deputetëve dhe e kryetarit të kuvendit që aty për aty në seancat e kuvendit të plotësohet rendi i ditës me pika shtesë, se a do të ndodhë një gjë e tillë, do të thotë se duhet të presim”- deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.

Haliti, po ashtu nënvizoi se qëndrimi i subjektit politik që ai përfaqëson, BDI-së, çdoherë ka qenë i qartë, që deputetëve të mos u merren mandatet.

“Këtë gjë e kemi bërë edhe në të kaluarën kur kemi pasur raste, kështu që edhe në këtë rast qëndrimi ynë është që t’i thërrasim deputetët e opozitës, në këtë rast të LSDM-së, që të kthehen në kuvend, pasi vlerësojmë se vendi i tyre është këtu. Këtu mund t’i mbrojnë interesat e tyre, interesat e elektoratit dhe interesat e përgjithshme të qytetarëve të RM-së. Ne nuk përkrahim asnjërin nga dy opsionet që parasheh rregullorja e kuvendit, që t’u konstatohen dorëheqjet apo t’u merret mandati gjatë mungesave gjashtë mujore kur nuk janë prezent deputetët e opozitës”- tha Haliti.

Nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti, po ashtu ka deklaruar së kryesia e partisë dhe grupi parlamentar i BDI-së ende nuk e kanë ndërtuar qëndrimin përfundimtar se si do të votojnë në qoftë se vendoset në seancë pika e rendit të ditës që deputetëve të LSDM-së t’u konstatohen dorëheqjet ose t’u merren mandatet.

Pasi që vazhdon të mos ketë qëndrim zyrtar nëse të hënën do të mbahet seancë për mandatet e deputetëve të opozitës, po ashtu pritet që një vendim i tillë të merret po këtë ditë, në takim mes kryetarit të kuvendit me nënkryetarët e tij dhe kryetarët e grupeve parlamentare. (Mefail Ismaili, TVM2)