Kufiri me Kosovën pa test PCR, qytetarët: E kemi pritur gjatë këtë ditë

12.10.2020 16:03

Nga kjo e hënë shtetasit e Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë në Kosovë...

Nga kjo e hënë shtetasit e Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë në Kosovë pa test PCR. Nga Qeveria megjithatë u apelojnë qytetarëve që të mos udhëtojnë pa nevojë.

Me gjithë këtë paralajmërim, numri i atyre që kaluan kufirin me Kosovën, që në ditën e parë të hapjes pa test, ishte i lartë. Kjo për faktin se qytetarët shqiptarë, udhëtimin në Kosovë e kanë në fakt udhëtim drejt të afërmve të tyre,  të cilët nuk i kanë parë kohë të gjatë për shkak të kufizimeve.

“Ky kufi është i panevojshëm. 3 muaj nuk jemi end. Ishim në vizitë.”,- tha një qytetar.

“Shumë mirë, më mirë nuk ka. Shkojmë në familje, s’kemi qenë moti.”,- theksoi një qytetar. 

“Me gëzim. Shumë kohë e gjatë ishte mbyllur kufiri.”,- u shpreh një qytetar.

“Super. Paska shumë kolonë kur të kthehemi. Te miqtë po shkoj se gruan e kam nga Shkupi.”,- theksoi një qytetar.

“Në anën e Maqedonisë nuk ka pritje, vetëm në anën për të hyrë në Kosovë.”,- u shpreh një qytetar.

“Shumë na ka munguar miqësia, shërbimet shëndetësore…”,- tha një qytetar.

“E kemi pritur moti. Shyqyr që i çelën.”,- u shpreh një qytetar.

Vendkalimi në Bllacë plot, Hasani: Më shumë qytetarë shkojnë në Kosovë

Pika kufitare Bllacë i ka marrë të gjitha masat për ta respektuar totalisht vendimin e Qeverisë, thonë autoritetet kufitare.

“Qytetarët tanë e kanë shfrytëzuar këtë ditë dhe në një numër më të shtuar janë duke dalë nga shteti për të vizituar Republikën e Kosovës. Që nga mesnata deri në orën 11 kemi vërejtur hyrje dhe dalje nga shteti, 3710 udhëtarë, prej të cilëve 2120 udhëtarë shtetas të RMV-së që e kanë lëshuar shtetin, ndërsa 1590 kemi qytetarë të huaj prej të cilëve 976 janë qytetarë të Kosovës të cilët kanë hyrë në shtetin tonë.”,- tha komandanti i pikës kufitare në Bllacë, Besim Hasani.

Hapja e kufijve, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria nuk e hoqën testin

Megjithëse pritej që të kalohej pa test edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, kjo nuk ndodhi. Për shkak përkeqësimit të gjendjes me virusin Korona në rajon dhe numrit të madh të rasteve, hyrja e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në këto tre shtete nuk do të lejohet, siç u paralajmërua.

Testi PCR negativ për këto tre shtete nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë nga momenti i hyrjes.

Deri tani, vendi i vetëm fqinj ku shtetasit e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtonin pa test PCR ishte Shqipëria, ndërsa në Kosovë deri në mesnatën e së dielës, ishte i patjetërsueshëm testi PCR, qoftë edhe për kalimet transit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)