Maqedoni

Pisonero: Marrëdhëniet fqinjësore, thelb i zgjerimit të BE-së

12.10.2020 16:55

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, përkujton se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbi i zgjerimit të BE-së...

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, përkujton se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbi i zgjerimit të BE-së dhe u apelon Shkupit dhe Sofjes të përpiqen më shumë për tejkalimin e dallimeve. 
 
“Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë vendosën shembull pozitiv për rajonin dhe më gjerë. Është e rëndësishme këto marrëveshje dypalëshe të vazhdojnë të zbatohen. I inkurajojmë të dy palët t’i dyfishojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për çështjet e pazgjidhura.”,- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.
 
VMRO-DPMNE: Gënjeshtrat e Zaevit, rrezikojnë anëtarësimin
 
Opozita ndërkohë akuzon qeverinë se po dështon çdo ditë e më shumë në politikën e jashtme. 
 
“Para disa viteve, Zoran Zaev publikisht deklaronte dhe i qetësonte qytetarët se të gjitha çështjet në planin e jashtëm janë mbyllur. Tani e shohim se ato kanë qenë vetëm gënjeshtra, shpresa të rreme dhe përfundimisht  Zaev e pranon se para disa viteve i ka gënjyer qytetarët. Ne do ta ndjekim këtë situatë serioze, që për faj të një njeriu si Zaevi rrezikon të shtyhet anëtarësimi i vendit në BE.”,- u shpreh Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
 
Të dielën, kryeministri Zaev deklaroi se problemi mes Shkupit dhe Sofjes, mund të rrezikojë shtyrjen e fillimit të negociatave me BE-në. Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Dimitrov, tha se  BE nuk do të ishte aspak evropian, nëse do të lejojë që gjuha të bëhet pengesë për të ardhmen në Union  e  Maqedonisë së Veriut. Më 15 dhe 16 tetor pritet të takohen komisionet e dyja vendeve.
 
ADNAN HAJDARI