Maqedoni

Mbajta e maskave, qytetarët: Nuk i mbajmë, koha të vetëdijesohemi

12.10.2020 17:52

Fëmijëve nuk iu pengon t’i mbajnë maskat 2 ore duke kënduar dhe vallëzuar....

Fëmijëve nuk iu pengon t’i mbajnë maskat 2 ore duke kënduar dhe vallëzuar. Këtë e treguan një grup fëmijësh nga 7-18 vjeç, që zbavitën moshatarët dhe prindërit me shfaqen muzikore “E bukura dhe bisha”. Ata deshët të tregojnë se mund të shoqërohen dhe të jenë njëkohësisht të përgjegjshëm në kohë pandemie. Por, si duket ndërgjegjja nuk është ana e fortë e të rriturve. Shifrat tregojnë rritje të numrit të të infektuarve edhe përkundër mbushjes së krevateve nëpër spitale. Qytetarët vlerësojnë se gjithçka prej tyre varet e jo prej masave.
 
“Të gjithë fëmijët mbajnë maska. Edhe e imja 2 orë ushtrime mban maskë. Nëse munden ata, mundemi edhe ne.”,- tha një qytetar.  
 
Respektim të masave ndoshta do të ketë tani që shifrat po shtohen frikshëm, por edhe nga frika e dënimeve. Ka edhe të atillë që respektojnë masat  edhe në raste kur nuk rekomandohet. E këtë e bëjnë me qëllim që mos t’i infektojnë të afërmit.
 
“Një pjesë mban maska, një pjesë jo. Ka kontrolle, pra policia ka kaluar këndej gjatë fundjavës, kështu që dënuan shumë. Nuk ka shumë të grupuar përveç adoleshentëve.”,- theksoi një qytetar.
 
“Nuk respektohen masat. Sikur të ishin respektuar, nuk do të kishim arritur këtu ku jemi. Qytetarët nuk janë të vetëdijesuar.”,- tha një qytetar.
 
Përkrah atyre që respektojnë masat dhe kujdesen për shëndetin publik ka edhe të atillë që nuk besojnë në ekzistimin e virusit. Epidemiologët vazhdimisht përkujtojnë qytetarët se po qe se nuk tregojmë përgjegjësi, masat për kufizim të lëvizjes së shpejti mund të rivendosen.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU