Maqedoni
Shkup, edhe dy mësues me Kovid-19
13.10.2020 15:01
Dy mësues nga Shkupi, të cilët kanë zhvilluar mësim me prani fizike, kanë rezultuar me Kovid-19....

Dy mësues nga Shkupi, të cilët kanë zhvilluar mësim me prani fizike, kanë rezultuar me Kovid-19. Bëhet fjalë për një mësuese të gjuhës angleze në Shkollën Fillore “Vllado Tasevski” në Karposh dhe një tjetër mësues në “Dimitar Milladinov” në komunën Qendër. Nga komuna e Karposhit kanë njoftuar se mësuesja është izoluar nga dita e mërkurë, ndërkaq rezultatet e testit pozitiv i ka marrë ditën e enjte. Nga dita e enjte në punë nuk ka shkuar as mësuesi në komunën e Qendrës. Deri tani, në izolim janë 10 mësues dhe 50 nxënës të shkollave fillore.
Mjekët: Numri i fëmijëve me infeksione po shënon rritje
Në tri javët e fundit është shënuar rritje e numrit të fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të infektime në traktin respirator shoqëruar me temperaturë të lartë. Mjekët e pediatrisë thonë se mund të bëhet fjalë për virus lino, apo deno virus, por nuk përjashtojnë mundësinë që të bëhet fjalë edhe për virusin Korona, pasi nuk ekziston mundësi klinike të identifikohet se për çfarë viroze bëhet fjalë.
“Është me rëndësi të paralajmërohen njerëzit se mundet të jetë Kovid dhe të kenë kujdes ndaj pjesëtarëve të moshuar në familje. Ka një grup që reagon në panik dhe kërkon të testohet para kohe, ka grup që pranon testim pa problem dhe ka grup që kundërshton testimin pasi pretendon se nuk kanë Kovid, se janë ftohur. Por, njeriu që është ftohur, nëse nuk ka pasur kontakt me person të infektuar, do të ngrohet dhe gjithçka do të jetë në rregull. Nëse ka pasur kontakt, ftohja ndikon si faktor stresues dhe infeksioni zhvillohet, që do të thotë se edhe ata që pretendojnë se janë ftohur, në të vërtetë janë të infektuar.”,- deklaroi një pediatër.
Fëmijët e prekur me Kovid-19 kanë kaluar me simptoma të lehta, thotë mjekja, duke apeluar për kujdes dhe respektim të masave. Që nga fillimi i paraqitjes së epidemisë në vend deri më 11 tetor, 1810 fëmijë janë infektuar gjithsej me Kovid-19, prej të cilëve 705 janë të moshës deri më 9 vjeç, ndërsa pjesa tjetër prej 10 deri në 19 vjeç. Krahasuar me grupmoshat tjera, numri i fëmijëve të prekur nga Kovid-19 ka qenë më i vogël, ndërsa rastet pozitive kanë pasur simptoma më të lehta.
FITORE DEMOLLI
