Kiçeec, nuk u paraqit për vuajtje të dënimit me burg
Zoran Milevski – Kiçeec, i dënuar në rastin “Zhvatja”....

Zoran Milevski – Kiçeec, i dënuar në rastin “Zhvatja”, mbrëmë deri në orën 24 është dashur personalisht të paraqitet në burgun e Shutkës në Shkup për ta vuajtur dënimin me burg prej 3 vitesh.
Drejtori i burgut të Shutkës, Esad Rahiq, ka bërë të ditur se i dënuari nuk është lajmëruar në burg. Por, i dënuari, edhe pse e kishte pranuar veprën dhe kishte pohuar se para afatit do të paraqitet në burgun e Shutkës, ai atë nuk e bëri, dhe sipas palës mbrojtëse, Milevski para afatit e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës deri tek Gjykata, me të cilën kërkon që të shtyhet vuajtja e dënimit.
Gjykatësi, Pajazit Pajaziti, ka pohuar se Milevski ka dërguar kërkesë për shtyrje të vuajtjes së dënimit dhe se e njëjta është duke u shqyrtuar.
Sipas ligjit, nëse një i dënuar nuk paraqitet në burg për të vuajt dënimit është vepër penale, ndërsa neni 143 parasheh disa mundësi kur dhe në cilat raste i dënuari ka të drejtë të mos paraqitet në burg edhe atë në rastet në vijim:
- Nëse gjendet në shërim spitalor nga ndonjë sëmundje e rëndë;
- Nëse ka ndonjë rast vdekje të ndonjërit nga anëtarët e familjes;
- Nëse duhet mbaruar ndonjë punë sezonale, apo punë të cilat janë të shkaktuara nga ndonjë fatkeqësi natyrore;
- Nëse duhet mbarojë ndonjë punë, me të cilën ka filluar më herët, ndërsa mospërfundimi i saj do të shkaktonte ndonjë dëm më të madh;
- Nëse i dënuari duhet të përfundojë shkollimin, apo të japë ndonjë provim për të cilin është përgatitur më herët;
- Nëse anëtarët e të dënuarit janë në mbajtje të burgut dhe mosprezenca e ndonjërit prej anëtarëve të familjes i rëndohet jeta të moshuarve apo fëmijëve.
Përveç Kiçeec, në të njëjtin rast ishin të dënuar edhe ish-prokurorja speciale, Katica Janeva, e cila u dënua me shtatë vite burg dhe Bojan Jovanovski - i njohur si Boki 13, i cili u dënua me nëntë vite burg. Ndërsa Milevski në këtë rast dënohet se ka qenë ndërmjetësues midis Bojan Jovanovski-Boki 13 dhe gruas së biznesmenit, Orce Kamçevit, Anës. (Fitim Kryeziu, TVM2)
