Besimi: Emri kërkon angazhimin e liderëve evropian
Çdo iniciativë lidhur me çështjen e emrit për takim eventual, gjithsesi është i rëndësishëm për të ballafaquar argumentet dhe për të ardhur më afër zgjidhjes......

Kështu vlerëson zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, i pyetur lidhur me zërat se së shpejti do të fillojnë takimet e radhës të iniciuara nga ndërmjetësi, Metju Nimic. Sipas Besimit, nuk është me rëndësi nëse qëndrimet dhe pozicionet në aspekt relativ apo absolut janë më larg apo më afër krahasuar me ndonjë periudhë tjetër, e rëndësishme është se çdo iniciativë do të na sjellë më afër zgjidhjes.
“Në periudhën e ardhshme ne vlerësojmë se kjo temë kërkon një vëmendje të rëndësishme nga të dyja palët, por edhe nga vetë liderët e Bashkimit Evropian, ashtu siç thotë Raporti i Komisionit të Evropës për progresin e Maqedonisë për këtë vit, me qëllim që të tejkalojmë edhe këtë sfidë dhe të mund edhe oficialisht të fillojmë negociatat për aderim në Bashkimin Evropian”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
Italia ka dëshirë dhe e përkrah Maqedoninë në zgjidhjen e problemit me emrin, si dhe anëtarësimin e saj në BE, thekson ambasadori italian në Maqedoni.
“Është e rëndësishme për Maqedoninë, për Bashkimin Evropian, por edhe për shtetet ballkanike që Republika e Maqedonisë të jetë anëtare dhe ne e përkrahim në zgjidhjen e emrit edhe pse kjo është çështje që duhet të zgjidhet nga vetë dy shtetet”- tha ambasadori i Italisë, Ernesto Massimino-Bellelli.
Ndryshe, sot zëvendëskryeministri, Besimi dhe ambasadori italian organizuan kafe-pauzë në Qendrën Evropiane, me ushqim, kafe dhe muzikë italiane, me qëllim që qytetarët të njihen më nga afër me kulturën dhe traditën italiane. (Lumturie Hajro, TVM2)
