Maqedoni

Strugë, rritet numri i të infektuarve me Covid-19, Asani: Në spitalin e Strugës, situata nën kontroll

13.10.2020 17:25

Gjendja epidemiologjike në qytetin e Strugës sërish është bërë kritike....

Gjendja epidemiologjike në qytetin e Strugës sërish është bërë kritike. Numri i të infektuarve dhe viktimave në qytet dhe rrethinë çdo ditë rritet. Autoritet shëndetësore thonë se rritja e numrit të viktimave vjen si pasojë e reagimit me vonesë të qytetarëve me simptoma. Megjithatë, nga spitali i Strugës thonë se situata momentalisht është nën kontroll dhe të infektuarit trajtohen në spitalin e qytetit, por nëse qytetarët nuk respektojnë masat, situata mund të përkeqësohet. 
 
"Ne si spital ndeshemi çdo ditë me probleme, me fluks më të rritur të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë, me simptomatologjinë e cila së fundmi është bërë e ditur edhe për gjithë mjekët, numri është në rritje, ne aktualisht kemi të shtruar 15 pacientë të cilët janë me Kovid-19. Situata është nën kontroll, aktualisht arrijmë të menaxhojmë, i takon situatës me resurset njerëzore që do të thotë se personel kemi, të lartë, të mesëm dhe personel ndihmës. Gjendja është duke agravuar, ne jemi në gjendje këtë situatë ta menaxhojmë, por për të ardhmen nuk di të them çfarë do të bëhet.",- deklaroi drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani.
 
Struga është në listën e 16 qyteteve ku do të krijohen spitale mobil. Asani për TVM2 tha se kjo do të jetë ndihmë e madhe për spitalin dhe se të gjitha dokumentet i kanë gati dhe presin dritë jeshile nga Ministria e Arsimit. 
 
"Jemi në 16 qytetet e Maqedonisë të cilët janë planifikuar spitale mobil, procesi vazhdon akoma dhe presim që të realizohet kjo punë. Ajo do të jetë lehtësi mjaft e madhe, sepse do të lehtësojë punën tonë dhe hapësirë do të kemi më shumë dhe do të jetë e mirëseardhur nëse ndodh.",- u shpreh drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani.
 
Aktualisht në Strugë ka 60 raste aktive. Autoritet lokale apelojnë deri tek qytetarët që të mbajnë maska në ambientet, sidomos të mbyllura, të ruajnë distancën dhe mos të grumbullohen, me qëllim që situata të mos dalë jashtë kontrollit.
 
ILMIE ZHAKU