Botë
Shqipëri, pesë të vdekur e 182 të infektuar
13.10.2020 17:45
Pesë persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19, ndërsa janë infektuar 182 të tjerë....
Pesë persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19, ndërsa janë infektuar 182 të tjerë nga 1055 testime të kryera gjatë 24 orëve të fundit. Po ashtu 90 qytetarë janë shëruar, duke e çuar në 9675 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 244 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Kosovë, një i vdekur e 98 të infektuar
Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një i vdekur nga virusi Korona, ndërsa nga 685 mostra të testuara, janë konfirmuar edhe 98 persona të infektuar, derisa janë shëruar edhe 37 pacientë, ndërsa raste aktive janë 1.291. Virusi Korona vazhdon të përhapet edhe në shtetet e BE-së.
Paris, paralajmërohet mbingarkim i spitaleve
Autoritetet shëndetësore në Francë kanë paralajmëruar për mbingarkim të spitaleve në Paris, derisa rastet e reja me koronavirusin e ri janë në rritje. Gjatë javës së ardhshme deri në 90 për qind e shtretërve në spitalet e Parisit mund të zihen me pacientë që vuajnë nga sëmundja COVID-19, ka thënë kreu i 39 spitaleve të Parisit, Martin Hirsch. "Rreth 24 tetorit, do të ketë një minimum prej 800 deri në 1,000 pacientë me COVID-19 në kujdes intensiv, që përfshinë 70 deri 90 për qind të kapacitetit tonë aktual", tha ai. Franca po planifikon masa të reja për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Gjermania: vaksinimi do të fillojë në fillim të vitit 2021
Ndërkohë Gjermania pritet të jetë në gjendje të fillojë imunizimin e njerëzve kundër virusit korona në tre muajt e parë të vitit 2021, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Aktualisht, në të gjithë botën janë duke u zhvilluar rreth 170 vaksina të mundshme kundër koronavirusit. Prej tyre, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 26 janë në faza të testimit në njerëz.
BELINDA KOKA ADEMI
