Konferencë: “Edukimi për qytetarinë demokratike”

06.11.2014 17:24

Pedagogë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Zvicra kanë diskutuar sot mbi mënyrat e arsimimit të shqiptarëve në këto vende........

Debati u zhvillua në kuadër të konferencës me temë “Edukimi për qytetarinë demokratike”, nën organizim të Universitetit Pedagogjik të Cyrihut.

“Ky është një projekt i cili bën analizën e të mësuarit për shqiptarët në diasporë, në Zvicër, shqiptarët në Kosovë që përbëjnë shumicën, në Shqipëri, por edhe shqiptarët në Maqedoni, që jetojnë në shtet multietnik. Me të vërtetë, sidomos ne shqiptarët në Maqedoni, është mjaft interesante të dëgjojmë përvojat, modelet e arsimimit, për të shprehur vlerat çdo qytetar në mënyrë të hapur, në mjedis të hapur dhe që të jenë kontribuues në mënyrë aktive në demokracinë qytetare këtu në Maqedoni”- deklaroi rektori i UEJL-së, Zamir Dika.

“Ne shqiptarët i përkasim një kombi të njëjtë, por jemi duke u rritur në sistemin e vlerave të ndryshme, d.m.th. aty dallojmë. Për atë arsye ka qenë qëllimi që edhe ne të bashkëpunojmë me të gjitha këto vende ku jetojnë shqiptarët dhe është problemi i integrimit tonë edhe në sistemin e vlerave perëndimore. Dhe ky është qëllimi të shohim se sa këto vlerat tona që i kemi janë kontabile me ato perëndimore”- tha profesori nga Universiteti i Prishtinës, Lulzim Dragidella.

Vrojtimet botërore tregojnë se shkollat demokratike janë shkollat ku më së shumti mësojnë nxënësit, thekson Rolf Gollob nga Universiteti Pedagogjik i Cyrihut, i cili po ashtu bëri të ditur se të gjitha materialet që kanë të bëjnë me demokracinë tani janë duke u përkthyer në gjuhën shqipe dhe maqedonase, për t’u vënë në dispozicion të shkollave të këtushme.

“Në kushtet e sotshme shoqërore, ne tentojmë që nga vegjëlia të marrim përgjegjësi të jemi të aftë të menaxhojmë jetën dhe kjo do të thotë se duhet të mësojmë për edukim gjatë gjithë jetës. Po ashtu të gjitha materialet që kanë të bëjnë me demokracinë, tani janë duke u përkthyer në gjuhën shqipe dhe maqedonase”- u shpreh Rolf Gollob nga Universiteti Pedagogjik-Cyrih.       

Njëherit u theksua se qëllimi i konferencës është të kuptohet sistemi i vlerave në vendet prej ku vijnë shqiptarët, që të mund të kuptohet më mirë sjellja dhe integrimi i shqiptarëve në Zvicër.

Konferenca e sotme në Maqedoni vjen pas dy konferencave paraprake në Zvicër dhe Kosovë, ndërsa konferenca e radhës do të mbahet në Shqipëri, për të përfunduar me konferencën e pestë, përsëri në Zvicër. (Gyltene Sinani, TVM2)