Maqedoni

Masat restriktive, Qeveria me akte ligjore do të zbatojë masat

13.10.2020 18:11

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranon propozimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse sa u përket masave restriktive kundër Kovid-19...

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranon propozimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse sa u përket masave restriktive kundër Kovid-19, por që ato të zbatohen propozon ndërhyrje ligjore. Propozimi i parë ka të bëjë me mbajtjen obligative të maskave në ambiente të hapura, transport publik dhe institucione publike. Përjashtim bëjnë vetëm hapësirat sportive të hapura apo të mbyllura ku do të respektohen protokollet mbrojtëse, gjatë transportit në automjet privat, në vendin e punës nëse personi është i vetëm në zyrë si dhe objekte hotelierike. Si masë e dytë është vendosur për kufizimin e grumbullimeve pas orës 22, përkatësisht në vende publike dhe parqe ndalohet grumbullimi i më shumë se 4 personave. Masa e tretë është gjithashtu kufizimi i grumbullimeve në ahengje familjare, respektivisht nuk lejohet gostia e më shumë se 4 personave të tjerë në një adresë tjetër nga ajo e vendbanimit të personit.
 
Në objektet gastronomike nuk ka kufizime të reja, por rekomandohet respektimi rigoroz i masave mbrojtëse: dezinfektimi i hapësirave, distanca mes mysafirëve dhe shërbyesve dhe mbajtja e maskave.
Qeveria për zbatimin e plotë të masave restriktive propozon që të bëhen ndryshime përkatëse në Ligjin për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse me çka do të mundësohej që me akte nënligjore do të rregullojë masat  e propozuara me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit. 
 
Rishikimi i vendimit për kthimin e PCR testit negativ për shtetasit e Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë nuk është diskutuar, por është apeluar që udhëtimet jashtë vendit të bëhen vetëm nëse janë të domosdoshme.
 
MERAL ISMAILI