Maqedoni
MASh: 42 nxënës dhe 65 mësimdhënës me Covid-19
13.10.2020 18:32
7 nxënës dhe 5 mësimdhënës që zhvillojnë mësimin me prezencë fizike janë të prekur nga COVID-19...

7 nxënës dhe 5 mësimdhënës që zhvillojnë mësimin me prezencë fizike janë të prekur nga COVID-19 bën të ditur Ministria e Arsimit. Nga kjo Ministri njoftojnë se ka gjithsej 42 raste aktive me koronavirus tek nxënësit dhe 65 tek mësimdhënësit. Prej tyre, 29 janë nxënës të shkollave fillore, kurse 13 të shkollave të mesme, derisa 47 mësimdhënës janë të shkollës fillore kurse 18 të shkollave të mesme.
“Nga rastet aktive në arsimin e mesëm, asnjë nga nxënësit dhe mësimdhënësit nuk kanë marrë pjesë në mësimin me prezencë fizike dhe konform kësaj nuk kanë pasur kontakt me pjesën tjetër të nxënësve ose kuadrin arsimor. Në shkollat fillore, nga rastet aktive 7 nxënës dhe 5 mësimdhënës kanë pasur mësim me prezencë fizike. Në të gjitha rastet janë respektuar rekomandimet e QSHP-ve dhe është vepruar konform algoritmeve.”,- thuhet në njoftimin e MASh.
Edhe dy mësues nga Shkupi, të cilat kanë zhvilluar mësim me prani fizike, kanë rezultuar me Kovid-19. Bëhet fjalë për një mësuese të gjuhës angleze në shkollën fillore “Vllado Tasevski” në Karposh dhe një tjetër mësues në “Dimitar Milladinov” në komunën Qendër. Nga Komuna e Karposhit kanë njoftuar se mësuesja është izoluar nga dita e mërkurë, ndërkaq rezultatet e testit pozitiv i ka marrë ditën e enjte. Nga dita e enjte në punë nuk ka shkuar as mësuesi në komunën e Qendrës.
