Resul Shabani, 50 vjet krijimtari artistike

06.11.2014 17:34

Lidhja e Shkrimtarëve të Maqedonisë ka përkujtuar sot veprimtarinë letrare të njërit prej shkrimtarëve më në zë të letërsisë shqiptare të Maqedonisë, por edhe të letërsisë shqiptare në përgjithësi..........

Resul Shabani, sivjet shënon 50 vjetorin e krijimtarisë letrare dhe 70 vjetorin e lindjes. Një gjysmë shekulli artistik i njërit prej poetëve që ende dëshmohet me penë të njomë e të mprehtë. Shabani është meritor jo vetëm për begatinë artistike që po lë vazhdimisht në letërsinë shqiptare, duke e bërë atë të njohur edhe në botë, por edhe për përkthimet e veprave të njohura, u tha në manifestim. 

“Është një moment kur autori reflekton mbi të kaluarën, mbi krijimtarinë në të shkuarën, bën një rekapitullim ku kemi mbërri dhe atë që kemi lënë pas, vlen, a shqetëson ndonjë shpirt tjetër apo vetëm se është njoftuar me shkarkimin nga shpirti i autorit. Të shpresojmë që krijimtaria ime brenda këtyre 50 viteve të ketë prekur edhe ndonjë zemër tjetër”– deklaroi shkrimtari, Resul Shabani.

“Urime 70 vjetori dhe 50 vjetori i dy jubileve shumë të rëndësishme në jetën e njeriut dhe krijuesit. I urojmë Resul Shabanit edhe 70 vjetor krijues”- tha akademiku, Ali Aliu.

Sa i përket krijimtarisë së Resul Shabanit, pesë drama të tij janë inskenuar në teatrot profesioniste. Është prezantuar në disa antologji, poezie dhe tregimi.

Poezitë dhe tregimet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Për krijimtarinë origjinale dhe për përkthimet ka marrë shumë çmime të njohura kombëtare e ndërkombëtare. Edhe sot ai është kontribuues i pashtershëm në shkrim, redaktor, si dhe përkthyes i veprave në shumë gjuhë, kryesisht ballkanike. (Valide Limani, TVM2)