Gjykimi "Target dhe Fortesa", u anulua seanca, Mijallkov me simptoma Covid-19

14.10.2020 13:17

Seanca gjyqësore për ndjekjen e paligjshme të komunikimeve, e njohur si "Target - Fortesa"...

Seanca gjyqësore për ndjekjen e paligjshme të komunikimeve, e njohur si "Target - Fortesa", u anulua për shkak të simptomave për Covid-19 të shfaqura tek i akuzuari, Sasho Mijallkov. Pas testimit, rezultati do të dorëzohen në gjykatë. Pozitive ndërkohë është bashkëshortja e tij, Ana Mijallkova, ndërsa mjekët e një institucioni privat, që e kanë vizituar Mijallkovin në shtëpi, kanë konstatuar se ai ka temperature të lartë dhe kollitje të thatë.
 
“Në orët e vona të së martës, i akuzuari Sasho Mijallkov më njoftoi se ka temperaturë dhe se ka kollitje të thatë. Njëkohësisht bashkëshortja e tij paraprakisht është testuar dhe ka rezultuar pozitive në Covid-19. Te gjykata dorëzova dokumente mjekësore dhe njoftim për gjendjen e saj dhe të akuzuarit.”,- tha avokati mbrojtës, Ljupço Shvrgovski.
 
Në seancë ishte e paraparë të dëgjohen më shumë dëshmitarë të dëmtuar nga përgjimet. Në lëndën "Target-Fortesa", përveç Mijallkovit, të akuzuar janë edhe ish shefi i Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski, ish i punësuari në MPB, Nikolla Boshkovski, si dhe ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, bashkë me disa të punësuar të tjerë në drejtori. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhë prej viti 2008-2015, në mënyrë joligjore janë ndjekur 4,286 numra telefonikë për ndjekjen e të cilave nuk ka pasur urdhra gjyqësorë dhe janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)