Maqedoni
Dasmat nëpër shtëpi private, Geshkoska: Nuk kemi ingerenca të intervenojmë
14.10.2020 13:45
Këshilli i Inspektorëve nuk ka ingerenca të kontrollojë objektet private ku kohëve të fundit...

Këshilli i Inspektorëve nuk ka ingerenca të kontrollojë objektet private ku kohëve të fundit me të madhe po organizohen dasma dhe gëzime të tjera familjare. Nga atje sqarojnë se për të ndërhyrë në këto objekte, duhet të ndryshojë ligji.
“Asnjë inspektor nuk ka ingerenca të hyjë në objektet private. Kjo gjë nuk mund të kontrollohet, të paktën sipas dispozitave aktuale ligjore.”,- tha kryetarja e Këshillit të Inspektorëve, Magdalena Filipovska Grashkoska.
Paunovski: Kërkuam 20 punësime, na thanë të kursejmë
Këshilli i Inspektorëve nuk ka as njerëz të mjaftueshëm për të kontrolluar objektet që shkelin protokollet mbrojtëse nga Covid-19. Punësimet e reja nuk u janë lejuar nga Ministria e Financave.
“Sivjet edhe në plan program kishim punësimin e 20 inspektorëve, sepse deri në fund të vitit shkojnë në pension 37, por sot nga Ministria e Financave na refuzuan duke na sqaruar se duhet të kursehet. Ne besojmë që qeveria do të na dalë në ndihmë vitin e ardhshëm në këtë drejtim.”,- tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski.
Për momentin, sipas Paunovskit, natë e ditë në terren janë të gjitha kapacitetet njerëzore që posedojnë. Mohoi se vendimet jepen “post svestum” e sqaroi se për të gjitha shkeljet që vërtetohen, procesverbali dhe vendimet jepen menjëherë. Nga 5 deri më 11 tetor, inspektorët kanë kryer 2881 kontrolle të rregullta dhe 290 mbikëqyrje të jashtëzakonshme. Inspektorati ka dorëzuar 23 akuza për kundërvajtje dhe 19 për mosrespektimin e protokolleve për Kovid-19, 9 për subjekte private nga Shkupi, 5 në Kërçovë, nga dy në Manastir dhe Kavadar dhe 1 Ohër. Ndërsa gjatë fundjavës pa TVSh, inspektorët shtetërorë të tregut kanë konstatuar 15 shkelje të Ligjit për Tregti dhe Mbrojtje të konsumatorëve.
SANIJE DURAKU
