Maqedoni

BDI: Seancat e Kuvendit të mbahen edhe online

14.10.2020 14:20

3 deputetë aktualisht janë pozitivë ndaj Covid-19...

Infektimi i tre deputetëve me Covid-19 ka bërë më aktuale debatin nëse duhet apo jo edhe kuvendi të funksionojë online, ashtu siç tashmë e praktikon Qeveria. BDI këmbëngul se një mënyrë e tillë funksionimi do të mbronte shëndetin e deputetëve dhe administratës së Parlamentit, duke mundësuar punime të pandërprera të trupave të tij. 

 
Zaev: Kuvendi duhet të funksionojë, ligjet presin
 
Edhe kryeministri Zaev  thotë se me rëndësi është që Kuvendi të funksionojë e ligjet të sillen në mënyrë që vendi të mos ketë pasoja. Edhe pse aktualisht ka vetëm tre deputetë pozitivë, 20-30 kontaktet e tyre janë gjithashtu të dyshuar, e kjo përbën problem për shumicën në Kuvend. 
 
“E gjithë kjo e shkakton problemin e madh që shtylla e demokracisë, pra Kuvendi, të jetë jashtë funksionit, ndërsa kjo nënkupton që nuk do të kemi mundësi të sjellim ligje të cilat nënkuptojnë paga, ndihma sociale, ndihmesë për punonjësit shëndetësorë. Mund të realizohet puna e Kuvendit online, mund ta bëjnë që ky rregull të vlejë vetëm për ata që janë në izolim, por Kuvendi duhet të funksionojë.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Seanca online në Kuvend, Matoshi: Nëse nuk rrezikohet rregullorja, pse jo
 
Idenë për seanca online e mbështesin edhe ish deputetët. Ish deputeti, Ruzhdi Matoshi, thotë se nëse nuk rrezikohet puna e Kuvendit dhe demokracia, seancat online nuk janë alternativë që duhet hedhur poshtë.
 
“Në rast se nuk cenohet koncepti i demokracisë apo i përfaqësimit të drejtë dhe të gjitha vendimet vijnë konform Rregullores së Parlamentit, nuk do të ishte alternativë e keqe që mbledhjet të mbahen online. Parlamenti është një mekanizëm i cili bashkëvepron me Qeverinë dhe Qeveria të gjitha këto politika që i ka ekonomike e sociale duhet t’i kalojë në Parlament. Pra, Parlamenti nuk duhet të jetë një pengues i politikave, por duhet të jetë një artikulues të politikave të Qeverisë për qytetarët.”,- deklaroi ish deputeti i Kuvendit, Ruzhdi Matoshi.
 
BDI, në kërkesën e saj, konsideron se duhet shqyrtuar mundësia e  ndryshimit të Rregullores së punës së Kuvendit.
 
“Në rregulloren aktuale të Kuvendit qëndron fjalia “prani”. BDI dëshiron që të specifikohet që prania e deputetëve në Kuvend mund të jetë fizike ose online. BDI nuk dëshiron që Kuvendi të vijë në situatë që të bllokohen procese të rëndësishme.”,- thonë nga BDI. Ata kërkojnë që opozita të marrë në konsideratë analizat krahasuese se si është gjendja në rajon, por edhe më gjerë në një situatë të tillë me COVID-19.
 
FITIM KRYEZIU