Konkurs për kredi për vetëpunësim
Prej dje, Agjencia për Punësim ka shpallur konkurs për vetëpunësim me kreditim, i cili do të zgjasë 10 ditë pune prej ditës së publikimit...........

Projekti ka për qëllim punësimin e personave të rinj deri në moshën 29 vjeç, që duan të hapin biznesin e tyre.
Sipas ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, me anë të këtij konkursi, të rinjtë të cilët do t’i plotësojnë kushtet për të fituar këtë lloj kredie, do të krijojnë mundësi që të vetëpunësohen dhe t’i realizojnë idetë e tyre në fusha të ndryshme.
“Kushtet që u ofrohen të rinjve deri në moshën 29 vjeç për marrjen e kredive janë këto: kredi-kërkuesi mund të marrë kredi deri në 7 mijë euro, ndërsa për çdo vend të ri të hapur të punës duhen 4 mijë euro shtesë, me çka do të financohen projektet me më shumë se 5 vende të reja të punës, gjegjësisht deri në 23 mijë euro. Afati për kthimin e kredive është 7 vjet, gjegjësisht deri në 66 muaj dhe me grejs periudhë deri në 18 muaj”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Kompanitë që do të hapin vende të reja pune, do të mund të aplikojnë për kredi me vlerë prej 4 mijë eurosh për person dhe do të mund të punësojnë 3 persona. Afati për kthimin e kredisë është 2 vite me normë interesi prej 1%.
“Përmes këtij projekti, deri më tani shumë të rinj kanë arritur të hapin biznes të suksesshëm, prandaj i ftoj të gjithë të rinjtë që kanë ide për biznes dhe dinë të punojnë në këtë drejtim, të aplikojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi”- tha drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.
Prej vitit 2008 deri në 2014, me programin për vetëpunësim me kreditim janë të regjistruar 2747 kompani, prej të cilave 2153 janë aktive. Në këto kompani janë punësuar gjithsej 3290 persona. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
