Maqedoni

Kontestet historike, Osmani: Dallimet të tejkalohen sipas marrëveshjes

14.10.2020 16:36

Dallimet historike të zbardhen nëpërmjet dialogut që do të zhvillohet në korniza të marrëveshjes për fqinjësi të mirë...

Dallimet historike të zbardhen nëpërmjet dialogut që do të zhvillohet në korniza të marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Nga “Argument” në TVM2, ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, ftoi Komisionin për Çështje të Historisë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të veprojë në prag të takimit të tyre të përbashkët. 
 
“Insistoj të thirren në marrëveshjen e nënshkruar, në instrumentet e krijuara brenda marrëveshjes, për shkak se kjo është e vetmja mënyrë që ne të gjejmë një gjuhë të përbashkët në tejkalimin e dallimeve. Të gjitha format tjera të komunikimit jashtë kësaj kornize, qoftë memorandumet, letrat, komunikatat të cilat dalin nga këto instrumente, mendoj që vetëm do ta ngarkojnë më tepër, do të dëmtojnë raportet tona.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
 
Presidenca gjermane, Osmani: S’kompenson raportet dypalëshe
 
Sipas tij, roli i presidencës gjermane me BE-në është kyç në procesin e integrimit të vendit, megjithatë nuk kompenson përmirësimin e raporteve dypalëshe. Optimist se ekzistojnë kapacitete të bëhet interpretimi i përbashkët i fakteve historike që në dhjetor të mbahet konferenca ndërqeveritare për nisje të bisedimeve me BE-në.
 
“Fakti që kemi Gjermaninë në krye të KE-së, na jep edhe neve këtu kurajo për të intensifikuar, për të vazhduar me bisedimet me palën bullgare për dallimet që të gjejmë një zgjidhje që edhe ne tu japim argumente Berlinit por edhe Brukselit që të rrumbullakojmë këtë fazë të rëndësishme në procesin e integrimit tonë. Ne kemi pritur 15 vite vetëm për të filluar bisedimet dhe tani kur ka ardhur koha që të hapim kapitullin e parë në dhjetor, nuk guxojmë të lejojmë që dallimet të bëhen pengesë për këtë zhvillim të rëndësishëm për vendin.”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
 
Komisionet ndërshtetërore deri më tani kanë zbardhur dy periudha të rëndësishme historike, periudhës antike dhe mesjetës dhe u kanë dhënë rekomandime ministrive përkatëse të arsimit që të korrigjojnë librat shkollorë për nxënësit e klasës së pestë dhe të gjashtë. Gjuhë e përbashkët është gjetur edhe për pesë figura historike, por jo edhe për figurën e Goce Dellçevit. 
 
MERAL ISMAILI