Maqedoni

Mosmarrëveshjet me Bullgarinë, Zaev: Zgjidhje ka, por jo me propozime joreale. VMRO-DPMNE: Sqaroni marrëveshjen e re me Bullgarinë

14.10.2020 17:00

Kryeministri, Zoran Zaev, beson se mund të gjendet marrëveshje me Bullgarinë...

Kryeministri, Zoran Zaev, beson se mund të gjendet marrëveshje me Bullgarinë për tejkalimin e dallimeve, por, sipas tij, palët duhet të jenë të përkushtuara, reale dhe zgjidhja të vijë nën frymën e fqinjësisë së mirë.
 
Ai ngelet i përmbajtur rreth kërkesave të Sofjes ndaj Shkupit, por nuk mohon mundësinë për shtyrjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Për kryeministrin Zaev, mbrojtja e interesave shtetërore mbetet  prioritare në bisedimet me Bullgarinë. 
 
“Unë kam thënë se nëse vazhdohet kështu me propozime të këtilla, duhet ta dijë  populli  se ka mundësi edhe mos të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare, por kam thënë se edhe se kjo nuk është sigurisht interes  as i popullit bullgar, të cilët nuk janë kundër strategjisë sonë shtetërore dhe as interes i kryeministrit Borisov dhe kryetarit Radev. Zgjidhja mund të gjendet. Me të vërtetë kur bisedoni për diçka që është pjesë e çështjeve të pranuara siç është historia e përbashkët, atëherë duhet të jeni të mençur dhe ta shfrytëzoni për miqësi dhe jo për ndarje.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Opozita maqedonase kërkon nga kryeministri Zaev të jetë më transparent rreth bisedimeve me Sofjen.
 
“Zaev është i detyruar të tregojë nëse kërkesat e fundit nga Zaharieva janë: ndryshimet kushtetuese sipas modelit të marrëveshjes me Greqinë, ridefinimi i nacionalitetit maqedonas dhe dorëheqja nga historia e Maqedonisë.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Pas një pauze njëvjeçare, Komisionit bilateral multidisiplinar për çështje historike dhe edukative ,të enjten vazhdon bisedimet  dyditore dhe kjo bëhet me kërkesë të palës sonë. Diskutimet vazhdojnë rreth prejardhjes së  heroit, Goce Dellçev. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU