Maqedoni

Trajtimi i pacientëve me Covid-19, Filipçe: Kemi kapacitete në spitale publike

14.10.2020 17:23

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se institucionet shëndetësore kanë plan konkret...

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se institucionet shëndetësore kanë plan konkret se si të menaxhojnë kapacitetet e spitaleve shtetërore për trajtimin e pacienteve me Covid-19. 
 
“Fillimisht pacientët do të trajtohen në spitalin modular në Klinikën Infektive, këtu ka 72 krevate. Institucioni tjetër është Spitali i Kozles. Rreth spitaleve private, ata qysh në fillimin e krizës kanë pasur të drejtë të trajtojnë të sëmurë me Coivd-19, vetëm nëse gjatë trajtimit të pacientëve nga sëmundje tjera, konstatohet prania e koronavirusit edhe atë vetëm në repartet për kujdes intensiv.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Filipçe: Nuk ka nevojë për masa restriktive shtesë
 
Edhe përkundër rritjes së shifrave kohët e fundit, Filipçe thotë se për momentin nuk ka nevojë për masa restriktive shtesë. Për tri masat e reja të propozuara duhet të bëhen ndryshimet ligjore. 
 
“Gjatë javës së kaluar ne rekomanduam tre  masa restriktive të cilat dolën si pasojë e analizës që e bëmë se prej ku buron numri i të infektuarve. Sa i përket pjesës formalo-juridike, duhet të ndryshohet ligji, sepse të gjitha këto masa rregullohen me dekret me fuqi ligjore e cila u soll nga fundi i gjendjes së jashtëzakonshme, që të realizohet kjo, që të mund institucionet të sanksionojnë në qoftë se këto nuk respektohen, duhet të bëhen ndryshime ligjore.”,- theksoi Filipçe.
 
Hapja pa test e kufirit me Kosovën, Zaev: Infektimet nuk na erdhën që andej
 
Nga e hëna u hap kufiri pa test PCR me Kosovën, e i pyetur nëse i njëjti  mund të kthehet sërish tani që shtetet e tjera fqinjë nuk pranuan të hapin kufijtë pa test, kryeministri Zaev sqaron se  shifrat qartësuan se numri i rrit edhe kur lëvizja mes kufijve ishte e kufizuar. Gjithçka, sipas tij, varet nga situata. 
 
“Komisioni shëndetësor çdo herë e  analizon situatën dhe konstaton nëse  ka apo jo arsye për mbyllje të kufirit. Në rast se infektimi paraqitet për shkak të udhëtimeve me Kosovën, atëherë  ka arsye për mbyllje, por në rast se përhapja e virusit vjen nga brenda, atëherë nuk shohim arsye për mbylljen e kufirit.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë ndër vendet e vetme që mes tyre hoqën testet PCR. Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja nuk kanë hequr ato për shtetasit e vendit tonë. 
 
REJHANE BUSHI METAJ