Së shpejti në Shkup dhe Tetovë hapen zyrat e Diasporës

06.11.2014 17:54

Diaspora shqiptare tani e tutje do të jetë e informuar për mundësitë e shumta dhe kushtet për investim në Maqedoni përmes dy zyrave të diasporës që do të hapen në vend......

TVM-2 mëson  se deri në fund të këtij muaji, në kuadër të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore është paraparë të hapen zyrat e diasporës në Shkup dhe në Komunën  e Tetovës.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të njoftohen investuesit potencial për klimën e biznesit dhe ofertat e shumta në vendin tonë. Strategji e cila do të mundësojë tërheqjen e investimeve nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të bëjmë informimin e vazhdueshëm të të gjitha bizneseve të diasporës, të cilët operojnë në Maqedoni, ratifikimin e tyre, informimin e tyre dhe  njëkohësisht edhe vënien e urave ndërlidhëse të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të diasporës  nga vendet e ndryshme dhe bizneseve që operojnë në vend”- deklaroi Arben Halili nga OEMVP.

Por edhe pse Maqedonia rangohet lart në listat botërore të Bankës Botërore për shkak të lehtësive ekonomike që ofron për investuesit e huaj, Halili pranon se diaspora shqiptare nuk vendos lehtë të investojë në Maqedoni, nga shkaku i pengesave burokratike me të cilat përballet. Pasi ligji këta investues potencial i shikon si investues të brendshëm dhe për ta jo gjithnjë vlejnë lehtësimet si për investuesit e huaj. Nga OEMVP kërkojnë ndryshimin e ligjit në mënyrë që  lehtësitë ekonomike të vlejnë për të gjithë investuesit njësoj.

“Sigurisht që pengesa kryesore me të cilën për momentin përballemi është burokracia e administratës. Andaj, ne, përmes Këshillit Nacional për Ndërmarrësi dhe Konkurrencë kemi propozuar  një ligj, i cili  po ashtu është pjesë e këtij projekti që inplementojmë për diasporën. Konsiderojmë që ata të cilët janë nga Maqedonia dhe të cilët operojnë në vende të ndryshme të Evropës, për t’i motivuar dhe për të investuar në Maqedoni, përveç asaj  shpirtërores që janë të lidhur me vendin, do të kenë një arsye shtesë dhe këto janë arsyet ekonomike, lehtësirat ekonomike të cilat shteti duhet t’ua  mundësojë përmes këtij ligji”- tha Halili.

Në kuadër të këtij projekti është paraparë të hapet edhe faqja zyrtare e zyrave të diasporës, e cila po ashtu do të ndihmojë shumë në informimin e investitorëve potencial për të gjitha kushtet, ofertat dhe procedurat për investime në vend. (Rexhep Qamili, TVM2)