Maqedoni

Mosmbajtja e konferencës ndërqeveritare, Osmani: Është dështim për të gjithë

15.10.2020 14:27

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, shpreson se Komisioni Multidisiplinar për Çështje Historike...

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, shpreson se Komisioni Multidisiplinar për Çështje Historike do të mund të gjejë zgjidhje në dallimet mbi interpretimin e historisë tek të dyja palët. Ripërsërit se komisionet nuk diskutojnë atributet e identitetit të qytetarëve të RMV-së. Inkurajon anëtarët e komisionit të rrisin dinamikën e punës dhe të gjejnë kompromis. 
 
“Mendoj që komisionet, historianët të vazhdojnë këto dallime që i kemi  në interpretimin e në atë se kush kanë qenë në të kaluarën figurat që shënohen në dy vendet t’u lihet historianëve, politika të krijojë ambient inkurajimi për ta që ata të gjejnë guximin të tejkalojnë edhe mbi botëkuptimet e tyre dhe mendimet e opinionit publik në të dyja palët, mirëpo paralelisht nuk diskutohet për atributet indentitare për njerëzit që jetojnë këtu.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Ndërkaq, duke folur për bisedimet me BE-në, Osmani thotë se është normale që gjatë negociatave me BE-në ndonjë shtet anëtar të mos pajtohet për ndonjë fazë bisedimi, por shton se po qe se nuk mbahet konferenca e parë ndërqeveritare në dhjetor, do të ishte dështim për Shkupin, Sofjen, por edhe për Gjermaninë si udhëheqëse e BE-së.
 
“Mosmbajtja e konferencës ndërqeveritare në dhjetor është mossukses. Këtu barra bie mbi të gjithë, mbi ne si bashkudhëheqës, Bullgarisë si udhëheqëse, presidencës gjermane, si dhe të gjithë pjesëmarrësve në procesin e Berlinit.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Osmani foli edhe për debatin në parlamentin bullgar për të shënuar 24 majin si ditë e shkrim–leximit bullgar, por kjo, sipas tij, nuk është në pajtim me marrëveshjen me Bullgarinë dhe punën e Komisionit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU