Maqedoni
Masat anti-krizë, Bekteshi: Subvencione dhe kredi pa interes për zejtarët
15.10.2020 15:14
Gjithsej 43 zejtarë dhe 4 oda të zejtarëve do të përfitojnë subvencione me vlerë prej 4.4 milion...

Gjithsej 43 zejtarë dhe 4 oda të zejtarëve do të përfitojnë subvencione me vlerë prej 4.4 milion denarë nga masa për kofinancim të projekteve të Odave të Zejtarëve për zhvillim dhe promovim të zejtarisë si pjesë e programit për konkurrueshmëri, inovacione dhe sipërmarrësi. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve për grande, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se së bashku me Bankën për Zhvillim do t’u ofrojë ndihmë sektorit të zejtarisë me dhënien e huave pa interes në vlerë prej 5000 euro.
"Miratuam edhe thirrjen publike, ku së bashku me Bankën për Zhvillim të Maqedonisë në të cilën janë të përfshirë edhe zejtarët e vendit tonë, ku do të kenë mundësi me siguri që të marrin hua pa kamatë në kuadër të këtij projekti në bashkëpunim me BE-në në vlerë deri në 5 mijë euro.",- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Agron Fazliji nga Oda e Zejtarëve theksoi se edhe sektori i zejtarisë ka regjistruar humbje të mëdha gjatë kësaj periudhe krize, por subvencionimi i pagës minimale ka arritur të mbajë gjallë këtë veprimtari.
"Sektori i zejtarisë ka pasur humbje të mëdha, por falë rrogave minimale nga seti i tretë që u dha nga Qeveria, zejtarët janë në jetë. Tash edhe me këto ndihma që na jepen janë shumë të nevojshme për zejtarët.”,- theksoi kryetari i Odës së Zejtarëve të Maqedonisë, Agron Fazliji.
Ndihmë për këtë sektor do ketë edhe nga pakoja e katërt e masave të miratuara nga Qeveria, që parashikohen 12 milion denarë shtesë për mbështetje të zejtarëve për blerje të mjeteve dhe pajisjeve. Si pasojë e krizës me virusin Korona, ky sektor ka pasur deri në 15 për qind mbyllje dhe largime nga puna.
ZEKIRJA MEXHITI
