Maqedoni
Shkup, mblidhet Komisioni Maqedono – Bullgar
15.10.2020 15:28
Komisioni i Historianëve Maqedonas dhe Bullgarë mblidhet në Shkup për të tejkaluar ndasitë historike midis dy popujve...

Komisioni i Historianëve Maqedonas dhe Bullgarë mblidhet në Shkup për të tejkaluar ndasitë historike midis dy popujve. Në takimin që mbahet pas dhjetë muajve, pritet të përmbyllet debati për harmonizimin e rekomandimeve për librat e historisë të klasës së shtatë në Maqedoninë e Veriut. Diskutimi i përbashkët do të vazhdojë edhe të premten, që Komisioni të shprehet rreth shënimit të përbashkët të personaliteteve dhe ngjarjeve historike, kulturore dhe politike të shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20 që kanë ndodhur në territorin e vendit. Pala bullgare me të arritur në Shkup është shprehur optimiste në arritjen e përparimit. Zbardhja e kontesteve historike përshpejtohet një muaj para mbajtjes së Procesit të Berlinit, dhe më pas mbajtjes së konferencës ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, pasi Bullgaria imponon kushte të reja për anëtarësimin e vendit në Union.
Dallimet historike, Zaev: Punojmë në zgjidhjen e problemit
Ndërkohë, në përpjekje për gjetjen e gjuhës së përbashkët, kryeministri, Zoran Zaev, në Sofje do të takojë homologun e tij, Bojko Borisov.
“Shpresoj se deri atëherë do të realizohet takimi im në Sofje që të mund të bisedojmë për gjitha këto çështje. Unë dëshirojë ta vizitojë Bullgarinë dhe nuk e fsheh këtë. Dua që vizita ime e parë e këtij mandati të jetë në Bullgari për shkak të miqësisë, pasi që mandati i parë filloi njëjtë dhe u shënuar suksese të mëdha të shtetit dhe mendoj se kjo edhe do të ndodh. Ne punojmë në problemin.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Deri më tani ekspertët e të dyja vendeve janë dakorduar për periudhën antike dhe të mesjetës, si dhe shënim të përbashkët të pesë figurave historike: Shën Qirilit dhe Metodijt, Shën Klimentit, Shën Naumit dhe mbretit Samuil. Pajtueshmëri nuk është arritur për figurën e Goce Dellçevit.
MERAL ISMAILI
