Maqedoni

Kuvend, filloi debati për rebalancin e buxhetit

15.10.2020 16:00

Komisioni për Financa dhe Buxhet filloi debati rreth rebalancit të Buxhetit 2020...

Komisioni për Financa dhe Buxhet filloi debati rreth rebalancit të Buxhetit 2020. Me rebalancin e buxhetit mundësohet zbatimi i pakos së katërt të masave anti-krizë, të cilat janë ndarë në tri shtylla dhe kanë për qëllim ruajtjen e standardit të qytetarëve, përkrahje për sektorin privat dhe ruajtjen e vendeve të punës, si dhe rruajtjen e stabilitetit fiskal dhe financiar të ekonomisë në tërësi. 
 
“Me këtë rishikim të buxhetit sot, ne mundësojmë zbatimin e pakos së katërt të masave anti-krizë të cilat u miratuan nga Qeveria e RMV-së. Kjo ka për qëllim të sigurojë qëndrueshmëri të aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe ruajtje të vendeve të punës. Të rikuperojmë veprimtari të caktuara ekonomike, të sigurojmë stabilitet të transfereve sociale dhe të sigurojmë politikat që do të ndihmojnë në zbatimin e strategjisë së shpejtë ekonomike, përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe rikthimin në trendet pozitive.”,- theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
 
Opozita konsideron se po miratohen masa populiste të cilat pavarësisht rishikimit të buxhetit, nuk zbatohen. Sipas VMRO-DPMNE-së, realizimi i tri pakove të para të masave antikrizë është vetëm 33 për qind. 
 
“Buxhetet që planifikon dhe promovon kjo qeveri nuk japin rezultatet e pritshme. Nuk duhet të jem ekspert financiar dhe t’i dëgjoj qytetarët që çdo ditë reagojnë për shportën më të vogël të konsumit dhe për më pak mjete në xhepin e tyre, për pasigurinë më të madhe që kanë nga dita në ditë me këtë qeveri. Ndërkaq, shohim rebalanc për ndarjen e mjeteve të caktuara për t’u përballë me pandeminë dhe përmirësimin e gjendjes në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Mivevski.
 
Mirëpo shumica parlamentare fton opozitën që përtej politikës ditore të përkrah rishikimin e buxhetit dhe të ndihmojë në tejkalimin e pasojave nga pandemia.   
 
“Me rëndësi është ndihma në kohë dhe efikase në përballjen me pasojat e epidemisë. Prandaj ftoj të gjithë kolegët deputetë që përmes debatit të hapur dhe konstruktiv të përkrahim këto ndryshime dhe plotësime të buxhetit për vitin 2020. Tani nuk është koha për veprim thjesht partiak. Tani është koha që të ndihmojmë bashkëqytetarët tanë, t’i ndihmojmë ekonomisë sonë maqedonase.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Me rebalancin e buxhetit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 196,3 miliardë denarë, të planifikura pothuajse në nivel identik lidhur me planin, derisa të dalat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 253 miliardë denarë apo për 4,1 për qind, më të larta se plani. Mbi bazë të të ardhurave dhe të hyrave të planifikuara, deficiti është projektuar në vlerë prej 56,6 miliardë denarë, gjegjësisht 8,4 për qind të BPV-së.
 
SHPËTIM NUREDINI