Maqedoni

Zoran Zaev: të respektojmë masat, mjekët do t’ia dalin

15.10.2020 17:52

Kryeministri, Zoran Zaev, beson se Kuvendi do të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore...

Kryeministri, Zoran Zaev, beson se Kuvendi do të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore deri në fund të muajit me qëllim që të mund të implementohen rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Ai apeloi në respektimin e masave teksa shtoi personeli mjekësor i vendit se do t‘ia dalë me gjendjen e krijuar. 
 
“Nëse vërtet i respektojmë masat do t’u ndihmojmë shumë punonjësve shëndetësorë të cilët janë lodhur. Për shkak të shëndetit personal, të prindërve tanë dhe personelit mjekësorë, apeloj të respektohen masat ndërsa sistemi shëndetësorë do të gjendet dhe do ta kryejë punën e tij dhe jam i bindur se do të jetë më me sukses se sa në shumë vende më të zhvilluara në BE.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Masat që do të hyjnë në fuqi pas ndryshimeve ligjore parashikojnë mbajtjen e maskës apo shallit edhe në ambient të hapur, të mos ketë grupim më shumë se 4 persona në ambient të hapur pas orës 22 dhe të jetë e lejuar prania e katër mysafirëve në shtëpi, përveç anëtarëve të familjes tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM. 
 
VMRO-DPMNE: Pushteti nuk ka aftësi të menaxhojë pandeminë
 
Ndërkohë, VMRO-DPMNE ka akuzuar se pushteti nuk ka aftësi për ta menaxhuar krizën me pandeminë. 
 
“Maqedonia ka qenë në një valë të vazhdueshme që nga marsi. Kjo është për shkak të paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar krizën. Kur të gjitha vendet në botë patën një ndërprerje në valën e infeksionit, ne po shënojmë rekorde me të infektuarit. Tani jemi në fillim të krizës, sezoni i gripit tani vjen dhe kaosi mund të jetë edhe më i madh, dhe qeveria nuk po bën asgjë për të parandaluar përshkallëzimin.”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
 
NAIM RAMADANI