Maqedoni

Gjevgjeli, u vu në përdorim stacioni për monitorim të ajrit

15.10.2020 18:32

Ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, sot në Gjevgjeli së bashku me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor...

Ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, sot në Gjevgjeli së bashku me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, dhe kryetarin e komunës së Gjevgjelisë, Sasho Pockov, zyrtarisht e kanë vënë në funksion stacionin për monitorim të financuar nga Bashkimi Europian përmes një  projekti nga Programi i bashkëpunimit ndërkufitar, Zhvillimi dhe zbatimi i indeksit shëndetësor për ndotjen e ajrit. Kjo është vizita e parë e ambasadorit Gir nga fillimi i mandatit të tij.  
 
“Stacioni është bërë me të vetmin qëllim që të kemi ajër më të pastër për qytetarët e komunës tuaj, mirëpo edhe për të gjithë qytetet tjera. Më vjen shumë mirë që ne si BE e kemi përkrahur këtë iniciativë dhe na bën të lumtur që ky projekt është pjesë e Bashkëpunimit ndërkufitar mes Republikës së Greqisë dhe mezi pres që ky projekt sa më shpejt të inaugurohet.”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
 
“Kjo nënkupton pasurimin e rrjetit kombëtar për monitorimin automatik të cilësisë së ajrit, duke arritur kështu qëllimet dhe prioritetet tona strategjike si Ministri e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjegjësisht, lufta për përmirësimin e cilësisë së ajrit brenda aktiviteteve të parashikuara afatshkurtra dhe afatgjata nënkupton mbajtjen në gjendje të mirë të sistemit automatik shtetëror për cilësinë e ajrit të ambientit, por edhe rritjen e numrit të stacioneve matëse.”,- u shpreh ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini.
 
“Me vënien në punë të këtij stacioni matës, ne mblodhëm edhe hallkë tjetër në atë kategori që mungonte.”,- theksoi kryetari i komunës së Gjevgjelisë, Sasho Pockov.
 
BE ofron mbështetje të vazhdueshme për zbatimin e direktivave të BE-së për cilësinë e ajrit. 12 milion euro janë planifikuar për më shumë aktivitete në 2021 që do të ndihmojnë më tej vendin për të siguruar ajër më të pastër për qytetarët.
 
SEDAT SELIMI