Komisioni maqedono-bullgar, dita e dytë e diskutimeve për dallimet historike
Komisioni i përbashkët i ekspertëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë...

Komisioni i përbashkët i ekspertëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, vazhdon punimet në ditën e dytë të takimit, për t’i diskutuar dallimet rreth historisë.
Nën presion politik për kompromis deri më 10 nëntor, si kusht që Sofja të mos e bllokojë fillimin e negociatave mes Shkupit dhe BE-së, nga komisioni priten rezultate konkrete lidhur me ngjarjet e shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20, lëvizjet kulturore e politike të asaj periudhe dhe në veçanti figurës së Goce Dellçevit.
Priten rezultate konkrete edhe në çështjen e librave të historisë për filloristët, ndërsa në takimet e deritanishme komisioni ka arritur marrëveshje për 5 figura historike, Sh. Kirilin dhe Metodin, Sh. Klimentin, Sh. Naumin e Ohrit, Car Samoili dhe Grigor Përliçevin.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani inkurajoi historianët të përafrojnë qëndrimet, në mënyrë që përfundimisht politikanët e dy vendeve t’iu japin fund dilemave eventuale të mbetura.
Sipas tij, mos fillimi i negociatave me BE-në në dhjetor, do të ishte dështim si për Procesin e Berlinit, ashtu edhe për Unionin.
Kryeministri Zaev tha se po punohet në mënyrë intensive për tu gjetur zgjidhje përfundimtare.
