Bota sërish nën kthetrat e Covid-19, paralajmërohet rritja e numrit të të vdekurve

16.10.2020 11:12

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rritja e numrit të të infektuarve....

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rritja e numrit të të infektuarve në Evropë mund të pasohet me një rritje të numrit të vdekjeve.
 
Vendet evropiane po vendosin masa shtesë të kufizimeve në përpjekje për të parandaluar përhapjen e korona-virusit, ndërsa deri tani më shumë se 38 milionë njerëz janë infektuar në të gjithë botën dhe gati 1.1 milion kanë vdekur. 
 
Çdo ditë, në Evropë po infektohen rreth 100 mijë persona. Italia, Republika Çeke, Zvicra dhe Rusia, kanë shënuar një numër rekord të të infektuarve gjatë javëve të fundit. Numri i vdekjeve në nivel global aktualisht ka arritur në mbi 5 mijë në ditë. Por, njësitë e kujdesit intensiv po mbushen, duke rrezikuar të mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor. Në disa vende, spitalet veçse janë të mbingarkuara dhe ka mungesë të stafit mjekësor, paralajmërojnë ekspertët.
 
Zyrtari i lartë i OBSH-së, So-mua Svami-natan, dekurajoi idenë se “imuniteti i tufës” kur mjaft njerëz krijojnë imunitet për të ngadalësuar përhapjen e një virusi ishte i arritshëm para se vaksinimi të jetë në dispozicion në masë të gjerë. Dy kompanitë që po merren me zbulimin e vaksinës në Perëndim, Johnson &Johnson dhe Astra Zeneca në SHBA, kanë pezulluar provat për arsye sigurie.
 
Shtetet evropiane dhe qeveritë lokale po bëjnë përpjekje për të ulur shkallën e përhapjes së virusit, që filloi të rritet në fund të verës. Në Francë, qeveria shpalli një gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik për herë të parë që nga korriku.