Rasti "Monstra", ekspert plotësues për ekspertizën e dheut
Procesi gjyqësor për rastin “Monstra”...

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra”, ndonëse ka arritur fundin, zgjon paqartësi dhe polemika lidhur me ekspertizën e dheut nga vetura “Opel Omega” dhe vendi i ngjarjes.
Pas dëshmisë së fundit të ekspertes, Snezhana Nikollovska, avokatët mbrojtës konstatuan mangësi dhe krijimin e raportit të rrejshëm të bazuar në metoda të ekspertizës që nuk janë realizuar.
Për të sqaruar situatën, kryetari i Këshillit Gjyqësor për këtë rast ka ftuar për sqarim inspektoren kryesore të Repartit për analiza kimike, Vesna Antiq. Antiq në deklarimin e saj tha se nuk kanë kryer ekspertizë të dheut, por kanë kryer vetëm analizë pasi që ashtu i është dhënë detyra.
Ajo theksoi se tokës i është kryer analizë me mikrospit elektrik -skenues dhe ka qenë aparatura më e re që e kanë pasur. Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufi, sqarimi i sotëm i analizës se dheut tregon tentim për të mbuluar shkeljet dhe veprën penale të koleges së saj, Nikollovska. Sipas tij, me dëshmi të rrejshme për të mbuluar kolegen, kjo mund të përgjigjet penalisht. Raufi thotë se ekspertiza ka peshën e provës, por jo dhe analiza.
“Zonja Antiq tha që ajo praktikisht ka bërë analizë dhe jo ekspertizë. Për këtë analizë nuk kemi asnjë procesverbal e as raport të asaj, por që e ka bërë analizën për dy pjesë të dheut dhe jo 10, siç tha Snezhana. Ne do ta dëshmojmë se punohet edhe për një falsifikat, por do ta dëshmojmë se në atë kohë, në prill 2012, që siç tha dhe Snezhana Nikollovska para asaj se nuk e kanë pasur këtë instrument, skenar. Mendoj që kjo është përpjekje për të nxjerrë ndërsa do të fundosen edhe më shumë në krim.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Ndërkohë, prokurorja publike, Fatime Fetai, theksoi se ekspertja sqaroi mënyrën e analizës dhe hodhi poshtë, siç tha, pretendimet e mbrojtjes se raporti është i rrejshëm. E vërteta është se toka nga vendi i ngjarjes korrespondon me atë të veturës së dyshuar “Opel Omega”, tha Fetai.
“Dëshmon edhe një ekspert tjetër, është eksperti Vesna Antiq e cila sqaroi se është kryer analizë shtesë me anë të mikroskopit skenues me të cilën është vërtetuar ajo që më herët ekspertja, Snezhana Nikollovska, me anë të metodave të tjera e ka konstatuar. Pra, nuk kemi të bëjmë absolutisht me ekspertizë të rrejshme ose të pavërtetë siç pretendon pala mbrojtëse. Edhe një herë e konfirmoj: dheu nga vendi i ngjarjes dhe ai nga makina “Opel Omega” është i njëjtë.”,- theksoi prokurorja publike, Fatime Fetai.
Procesi gjyqësor për këtë rast është nga fundi, ndërsa nga dëshmitë e dëgjuara në vazhdimësi dalin propozime të reja për të dëshmuar, me qëllim të sqarimit të rastit. Për këtë rast të akuzuar janë 6 persona. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
