Maqedoni
Virusi Korona, u anuluan dy seanca gjyqësore
16.10.2020 14:58
Situata me koronavirusin, anuloi dy seanca gjyqësore këtë të premte për shkak....

Situata me koronavirusin, anuloi dy seanca gjyqësore këtë të premte për shkak se të akuzuarit ose janë në izolim ose kanë rezultuar pozitiv me Kovid-19. Ish kryepalamentari, Trajko Veljanovski, dhe ish ministri, Spiro Ristovski, ditët e fundit kanë marrë vendim për izolim dhe kjo ka qenë arsyeja e anulimit të seancës për lëndën e njohur në opinion si “Organizatorët e 27 prillit”. Vendimet për izolim këta i kanë marrë pasi të afërm të tyre kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Dy ish zyrtarët janë mes katër të akuzuarve për ndodhitë e 27 prillit së bashku me ish ministrin, Mile Janakiveski, dhe ish drejtorin e DSK-së, Vladimir Atanasovski.
Edhe seanca “Target-Fortesa” për ndjekje të paligjshme të komunikimeve u anulua për shkak të koroanvirusit. Gjykata informoi se, sipas shkresës së dorëzuar, i akuzuari Sasho Mijallkov prej 10 deri në 15 ditë nuk mund të paraqitet në seancë gjyqësore. Në seancë para dy ditëve, që, gjithashtu, u shty, avokati i Sasho Mijallkovit, Shvërgovski, e njoftoi Gjykatën se Mijallkovi ka simptome të Kovid-19 dhe do të testohet, pasi bashkëshortja e tij është pozitive në test. Seanca shtyhet për më 3 nëntor.
Për shkak të situatës së rënduar me shifrat, avokatët e palëve kanë njoftuar se përmes një shkrese që do të nisin në Ministrinë e shëndetësisë dhe Komisionit për sëmundje ngjitëse do të kërkojnë protokoll të posaçëm për mbajtjen e seancave gjyqësore.
ZEKIRJA MEXHITI
