Maqedoni

Rebalanci i buxhetit 2020, Mizrahi: Shteti ka bankrotuar

16.10.2020 15:49

VMRO DPMNE konsideron se me rebalancin e buxhetit dhe planifikimet për huamarrje të reja vendi ka bankrotuar....

VMRO DPMNE konsideron se me rebalancin e buxhetit dhe planifikimet për huamarrje të reja vendi ka bankrotuar. Në debatin parlamentar rreth rebalancit të dytë të buxhetit për vitin 2020, deputetja e VMRO-së Rashela Mizrahi, akuzoi qeverinë për menaxhim të keq me buxhetin dhe politika të gabuara ekonomike. Sipas saj, edhe këtë vit, vendi rrit borxhin e huaj, ndërsa investimet e huaja kanë shënuar rrënie drastike.
 
“Jemi shtet i bankrotuar. Borxhi publik si përqindje e BPV i projektuar për vitin 2020, përfshi edhe ditën e djeshme, është 60,3%. Nëse rishikohen projeksionet makroekonomike të Ministrisë së Financave momentalisht po projektohet rënie prej minus 4.4% dhe nëse pranohen projeksionet reja të Bankës Botërore për rënie prej 4.1% të BPV atëherë borxhi është larg 65%-shit.”,- deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi.
 
Kovaçevski: Borxhi shtetëror është 51.4%
 
Mirëpo zëvendësministri i financave hodhi poshtë pretendimet e deputetes Mizrahi. Sipas Kovaçevskit, borxhi publik është larg kësaj përqindje dhe krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë qëndron shumë më mirë.
 
“Maqedonia e Veriut ka 51.4% borxh shtetëror ndërkaq, Serbia ka 51,9%; Irlanda, 59.1%; Gjermania, 61.3%; Finlanda, 62.2%; Hungaria, 66,6% etj, kështu që borxhi shtetëror është menaxhuar në kuadër të përcaktimit të RMV që të jetë pjesë e BE-së.”,- u shpreh zëvendësministri i financave, Dimitar Kovaçevski.
 
Rexhepi: Ridestinohen mjete për nevoja jetike
 
Edhe Lëvizja Besa përkrah rebalancin e buxhetit. Konsideron se me të ridestonohen mjete financiare nga pozicionet jo shumë prioritare në ato të patjetërsueshme. 
 
“Vlerësojmë që ky rebalanc është pasqyrim i një hapi të domosdoshëm në drejtim të shkurtimit të mjeteve që për shumë arsye si procedurale ashtu edhe administrative janë thjeshtë të parealizueshme deri në fund të vitit.”,- u shpreh  deputeti i L. BESA, Kastriot Rexhepi.
 
Me rebalancin e buxhetit mundësohet zbatimin e pakos së katërt të masave anti-krizë të Qeverisë. Sipas propozuesit, deficiti i parashikuar për vitin 2020, ripagimi në bazë të principalit të borxhit të jashtëm në vlerë prej 26.9 miliard denarë dhe ripagimi i borxhit të brendshëm në vlerë prej 15.3 miliard denarë do të financohet përmes huazimeve nga jashtë dhe në tregun e brendshëm të letrave me vlerë. 
 
SHPËTIM NUREDINI