Maqedoni

Nikollovski: Do të kërkoj shkarkimin e Dimovës

16.10.2020 16:54

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore, Lidija Dimova...

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore, Lidija Dimova, mund të fillojë të paketojë gjërat e saj personale nga zyra e saj, pasi që zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, do të paraqesë propozim për shkarkimin e saj. Ai në profilin e tij në Fejsbuk ka shkruar se ka qëndrim të kundërt nga ai i Dimovës dhe se ajo duhet të japë dorëheqje.
 
“Drejtoresha Lidija Dimova konsideron se nuk duhet të japë dorëheqje, por unë kam qëndrim të kundërt. Në seancën e ardhshme qeveritare do të kërkoj dorëheqjen dhe shkarkimin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet”,- ka shkruar Nikollovski në Fejsbuk.
 
VMRO-DPMNE: Kërkesa për shkarkim, teatër i LSDM-së
 
Por, ky qëndrim  i Nikollovksit, për VMRO-DPMNE-në është vetëm një teatër. Zëdhënësi i partisë së Mickoskit, Dimçe Arsovski, thotë se pretendimi se qeveria do të shkarkojë Dimovën, ka për qëllim defokusimin e opinionit nga kriminaliteti i bërë në Agjencinë Kombëtare. 
 
“Teatri që bën LSDM-ja, Lidija Dimova, Ljupço Nikollovski dhe Zoran Zaev, ka vetëm një dhe të vetmin qëllim, dhe ai është të defokusojë opinionin nga krimi i kryer në Agjencinë Kombëtare. Kjo përplasje në media nëse Lidija Dimova duhet të japë dorëheqje ose jo, dhe nëse qeveria do ta shkarkojë ose jo, është vetëm teatër që qytetarët të mendojnë se kjo Qeveri është e përgjegjshme dhe e ndershme.”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
VMRO-DPMNE-ja opozitare si shkak për protestën e sotme ka marrë pikërisht keqpërdorimin e parave evropiane dhe para Ministrisë së Drejtësisë dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane do kërkojnë që t’i thuhet stop keqpërdorimit të mjeteve financiare nga BE-ja.  
 
SANIJE DURAKU