USHT, 30 bursa për studentët më të mirë

06.11.2014 20:10

Universiteti Shtetëror i Tetovës, sot ndau 30 bursa studimi për studentët e ciklit të dytë me mesatare mbi 9.80........

Rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti, çmoi lartë dijen që kanë treguar studentët gjatë studimeve, duke shtuar se suksesi i këtyre studentëve  në lëmin e shkencës dhe kulturës përfaqësojnë denjësisht sukseset e USHT-së.

“Është kënaqësi e veçantë për ne si drejtues të universitetit të takohemi bashkë me studentët e dalluar të fakulteteve tona, të cilët me angazhimin e tyre maksimal kanë arritur që të përmbushin objektivat në studimet e tyre. Në kuadër të agjendës sonë për shënimin e disa aktiviteteve gjatë muajit nëntor, ku ne së bashku do të realizojmë  disa aktivitete me rëndësi kulturore dhe historike, ne si drejtues të Universitetit Shtetëror të Tetovës vendosëm që këtyre ngjarjeve t’u paraprijmë me ndarjen e bursave për 30 studentë të dalluar, në ciklin e dytë të studimeve, me mesatare 9.8 e më lartë”- deklaroi rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.

Studentët bursist thonë se ky akt është  një motiv shtesë për vazhdimin e punës së tyre, duke treguar rezultate sa më të suksesshme në të ardhmen.

“Dua  të falënderoj rektorin e USHT-së, prof. dr. Vullnet Ametin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ky është një motiv shumë i madh për të gjithë studentët të cilët duan të arrijnë sa më shumë në jetë, nga ana tjetër USHT me këtë rast paraqet vizionin si një institucion ku i përkushtohet së ardhmes, duke i mbështetur vlerat dhe cilësitë”- tha studentja e Fakultetit Filologjik të USHT-së, Lugina Ajro.

“Do të shprehja mirënjohjen time ndaj USHT-së. Në këto katër vite eksperiencë, përveç mirënjohjes ndaj universitetit në fjalë, nuk do të shtoja asgjë tjetër jashtë kësaj. Dua të falënderoj shumë profesorët për kontributin që kanë dhënë, për punën e palodhshme dhe të përbashkët, me qëllim të thellimit të njohurive tona dhe një falënderim shumë i madh rektorit të USHT-së”- u shpreh studentja e Fakultetit të Shkencave Matematikore, Jeta Sela.

“Shfrytëzoj rastin që të falënderoj për mbështetjen familjen time, profesorët dhe gjithë menaxhmentin e USHT-së, të cilët kanë bërë një punë, respektivisht kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që ne të arrijmë në këtë ditë. Dua të falënderoj për këtë vlerësim që na ka bërë rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti”- theksoi studenti i Fakultetit Juridik, Gëzim Rushiti.

Ndryshe, një javë më parë USHT-ja ndau 53 bursa për studentët e ciklit të parë të studimeve. (Miftar Emini, TVM2)