Botë

Covid-19, u shënuan 4 viktima në Shqipëri dhe dy në Kosovë

16.10.2020 18:45

Shqipëria sërish shënon shifra të larta të personave të prekur me virusin korona....

Shqipëria sërish shënon shifra të larta të personave të prekur me virusin korona. Në 24 orët e fundit 4 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërsa janë identifikuar 289 raste të reja me COVID-19. Po ashtu 94 pacientë janë shëruar. Aktualisht numri i rasteve aktive janë 6101.
 
Shifra në rritje edhe nga Kosova. Dy pacientë kanë humbur betejën me virusin Korona, ndërsa nga 889 testimeve janë identifikuar pozitiv 104 raste të reja në 24 orët e fundit. Po ashtu janë regjistruar edhe 42 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 1,393. 
 
Rikthehet vala e re në të gjithë globin
 
Greqia shënon 13 viktima nga virusi dhe konfirmoi  453 raste të reja në 24 orë. Për këtë arsye, rajoni i Kozanit në Greqinë Veriore do të kalojë nën nivelin 4 të alarmit, më i larti i këtij lloji, pas një rritjeje të rasteve aktive të pandemisë. Situata e koronavirusit vijon të jetë shqetësuese në të gjitha vendet e Ballkanit. 
 
Në 24 orët e fundit në Mal të Zi, kanë humbur jetën katër pacientë, nga 764 testimet e kryera, janë konfirmuar 211 raste të reja pozitive. Sllovenia shënoi një rekord tjetër infektimesh, ku në 24 orë u regjistruan 834 raste të reja me COVID-19 dhe katër të vdekur. 
 
Franca shënoi mbi 30 mijë infektime ditore. Bëhet fjalë për shifrën më të lartë të arritur që prej nisjes së pandemisë, një ditë përpara hyrjes në fuqi të shtetrrethimit në 9 qytetet e mëdha të vendit përfshirë Parisin. Rekorde ditore pavarësisht ashpërsimit të masave u shënuan edhe në Itali, Gjermani, Çeki e Poloni. Në dallim nga vala e parë, vatra e infeksioneve në Itali është zhvendosur në jug, me Napolin që numëron edhe shumicën dërmuese të rasteve të reja. 
 
Në Gjermani u kufizuan oraret e qëndrimit hapur të bareve dhe restoranteve në zonat e prekura. Ndërsa në Çeki e Poloni janë mbyllur shkollat dhe palestrat. 
 
Pranë rekordeve ishte edhe Rusia, ndërsa shtim të ritmeve të infektimeve pati edhe në Shtetet e Bashkuara e Indi ku janë shënuar mbi 60 mijë raste ditore.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rritja e numrit të personave të infektuarve në Evropë mund të pasohet me një rritje të numrit të vdekjeve. Deri tani më shumë se 38 milionë njerëz janë infektuar në të gjithë botën dhe gati 1.1 milion kanë vdekur. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU