Amerikanët njihen me idenë për zonat e lira shëndetësore
Kryeministri, Nikolla Gruevski, ka prezantuar në Qendrën e njohur Shëndetësore “Ronald Regan” konceptin e Qeverisë së Maqedonisë për zonat e lira shëndetësore.........

Edhe pse amerikanët nuk kanë pasur më herët përvoja të tilla, kjo ide që vjen nga Maqedonia do të shqyrtohet me interes, thotë kryeministri, Gruevski.
“Edhe pse nuk janë hasur më parë me një gjë të tillë, ata shfaqën interes, sidomos nëse gjejnë ndonjë kompani që do të jetë e gatshme të ndërtojë spital, në të cilin mjekët e këtij spitali do të vinin në përdorim përvojat e tyre. Nëse kjo do të ndodhë, ky spital do të ishte qendër rajonale”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
“Jam i lumtur me atë që bën Maqedonia në sistemin shëndetësor dhe përpjekjet që të kthehet në një magnet për mbrojtjen shëndetësore të të gjithë rajonit”- tha drejtori i Qendrës Mjekësore “Ronald Regan”–LA, Tomas Koutus.
Sipas marrëveshjes së dy viteve më parë, në Qendrën Universitare Spitalore “Ronald Regan” në Los Anxhelos, deri tani janë trajnuar 29 mjekë, të cilët kanë mësuar metoda të reja, që më pas i kanë aplikuar në Maqedoni. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
.
